Rrënjët, ngritja dhe rënia e personazhit më të fuqishëm të tranzicionit...
Vënia zyrtare nën akuzë e personazhit që ka pasur më shumë poste të larta shtetërore pas komunizmit, përkatësisht Ilir Metës, është një fakt historik i rëndësishëm.
SPAK ka dërguar në një proces penal për të paktën tre akuza të rënda: Ish-Kryeministrin, ish-kryeparlamentarin dhe ish-Presidentin e Shqipërisë. Por ngaqë aksioni i SPAK ndaj zyrtarëve të lartë është kthyer në një rutinë tashmë, ngjarja e madhe nuk e ka marrë rëndësinë e duhur. Qoftë edhe për influencën e personazhit Ilir Meta, në pallatet e pushtetit ende sot dhe kësaj dite.
Problemi penal dhe personal i çështjes në fjalë, tashmë është në duart e drejtësisë por edhe të kronikanëve gjyqësorë që do ta pasqyrojnë ditë pas dite e seancë pas seance.
Përpos çështjes penale, asaj dramatike të çiftit dhe familjes Meta, që parë në narrativat televizive vjen edhe me nota tragjike siç e tregon ashtu si qesim vetëm Monika, ekziston në fakt historia e vërtetë politike e Ilir Metës.
I cili sot ka rënien e tij totale pas një shkëlqimi të gjatë. Të ishte Dritëroi gjallë, edhe pse e ka pasur mik të ngushtë Ilirin, dhe shpesh e ka ndhmuar në karrierë, një novelë a tregim, do ta kishte bërë. Ose edhe nëse jo për “konflikt interesi” prej miqësisë, mund t’ja kishte sugjeruar ndonjë miku të tij konfident.
Sepse kjo e Ilir Metës është një histori mjaft tërheqëse. Si një personazh periferik në takimin e studentëve me Ramiz Alinë, pa marrë pjesë në grupin themelues të FRESH-it, bëhet kryetar i tij, bëhet kandidat për deputet në zonën më të sigurtë për PS-në, siç ishte dhe është Poliçani, e më pas Nënkryetar i PS-së, Sekretar Shteti në Ministrinë e Jashtme, kryetar i PS-së për Tiranën, Zv.kryeministër, Kryeministër, prap zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm, sërish Zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm, më pas Zv.kryeministër dhe ministër i Energjetikës dhe Industrisë, pastaj Kryetar Kuvendi e më në fund President i Republikës.
Por t’i marrim gjërat me radhë, sepse ishte ngritja dhe rënia e një personazhi që arriti dhe u kthye në “Derrin Maç” të politikës shqiptare, ku njëherë ishte mirë e një herë keq, duke u cilësuar për një kohë të gjatë edhe si kingmaker. Pra politikani që pa të nuk bëhen qeveritë e Shqipërisë.
Ilir Meta, e nisi politikën me një katapultim tejet enigmatik në Partinë Socialiste, të cilën e tregojnë themeluesit kryesorë të FRESH. Pasi atyre ju prezantua si një ardhje e re nga një personazh që realisht flet pak dhe fsheh enigmën e katapultimit të tij. Musa Ulqini, gazetar dhe kryetar i PS-së së Tiranës në vitin 1991, ua prezanton themeluesve të FRESSH-it Ilir Metën. I cili vinte nga fakulteti ekonomik dhe një përvojë si telekronist i Ahmet Shqarrit në emisionin “Nga njëra Ndeshje në Tjerën”, si dhe një amator në sportin e peshëngritjes.
Katapultimi i Metës, në krye të eurosocialistëve të Tiranës, u bë pa dëshirën e themeluesve, por me urdhër nga lart. Madje në prezentimin e parë të eurosocialistëve në TVSH, ku drejtuese e programit ishte po një pjesëtare e FRESH-it, Ilir Meta arriti të ketë kohën më të madhe dhe u dallua nga të tjerët. Gjë që e thanë edhe disa drejtues të PS-së, që lobonin shumë për të. Një nga këto ishte edhe Namik Dokle, i cili po e përhapte namin e “yllit në ngjitje” në disa takime që zhvilloi në rrethe.
Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Ilir Meta u propozua si kandidat për deputet në rrethin e Skraparit që kishte dy zona elektorale; Çorovodën dhe Poliçanin. Iliri kandidoi në Poliçan.
Ishte kohë kur 100 deputetë zgjidheshin direkt dhe 40 prej tyre nga lista shumë emërore përmes proporcionalit kombëtar.
Ilir Meta, ishte një nga 6 deputetët e PS-së që fituan në ato zgjedhje direkt, jo nga lista. Skrapari nxori dy deputetë socialistë, bashkë me Kuçovën, lumin e Vlorës dhe Fatos Nano mezi fitoi në zonën e Bllokut e Tiranës së Re në Tiranë.
Në intervistën e tij të parë si President i Republikës, Ilir Meta, deklaroi se një nga takimet e para që zhvilloi si deputet ishte ai me ambasadorin e Rusisë në Tiranë, ku kërkoi që të studionte në Moskë. E çuditshme kjo deklaratë, megjithatë, le të rikthehemi të fillimet.
Një vit pasi bëhet President i Republikës Sali Berisha, dekoron me titullin “Pishtar i Demokracisë”, disa nga pjesëmarrësit në Lëvizjen Studentore. Në radhët e eurosocialistëve kishte disa nga këto pjesëmarrës, por në takimin me Ramiz Alinë ishin vetëm Ilir Meta dhe Pandeli Majko.
Berisha, zgjodhi të dekorojë vetëm Pandeli Majkon dhe jo Metën. Një diversion i pastër politik, që u mor si një përzgjedhje apo paragjykim i Presidentit, në atë kohë ende mjaft popullor, tek Majko, e jo tek Meta që shihej si “radikal i majtë”.
Një vit më pas, Safet Zhulali, ministër i mbrojtjes i asaj kohe, vendos që të shkurtojë personelin e prodhimin e Uzinës Ushtarake në Poliçan, vendim që shkakton një grevë të fortë dhe revoltë në qytezën e vogël të Skraparit. Protestë që u mbajt e fshehur nga e vetmja media televizive në vend dhe që arriti të çajë bllokadën mediatike nga ai pak shtyp i shkruar i pavarur dhe opozitar. Ilir Meta, me shkathtësi arriti të përkrahë popullin e Poliçanit, ku fitoi mjaft popullaritet. Muaj më vonë, prokuroria e Sali Berishës i hoqi imunitetin, duke i dhënë edhe më shumë përkrahje nga krahu i militantëve të PS-së.
Një lëvizje e fortë, e cila nuk ishte aspak e rastësishme dhe ndodhi pikërisht para arrestimit të Fatos Nanos. Me një shënjestër të largët nga Berisha, për të shkaktuar një diversion në PS dhe krijimin e një fraksioni brenda saj. Përkatësisht përçarje të PS-së, pasi 6 muaj pas zgjedhjeve të 22 marsit, Partia Demokratike humbi zgjedhjet lokale, ku pa se shumica e shqiptarëve ishin të majtë.
Me kalimin e viteve, dolën dëshmi dhe fakte mbi një marrëdhënie e ngushtë ndërmjet Sali Berishës, mjedisit rreth tij dhe Ilir Metës që në fillimin e viteve 90. Në mediat pranë Berishës, Meta dërgonte indikacionet e sulmeve dhe diversioneve brenda PS-së. Me burgosjen e Fatos Nanos në 1993, PS u drejtua nga një regjencë prej 4 nënkryetarësh, ku Ilir Meta ishte njëri prej tyre. Praktikisht më i zëshmi, si pasojë e lidhjeve të FRESH me organizatat perëndimore.
Duke u kthyer në një farë mënyrë në një shef diplomacie të PS-së, me Nanon në burg.
Pikërisht në këtë kohë krijohen dy grupe në PS, ku njëri drejtohej nga Ilir Meta, që nis të bëjë gati një krahmarrje pushteti të Nanos në parti, duke arritur që të kapë shumë degë në rrethe. Por intriga e Ilir Metës, edhe pse e trajtuar hollë, nuk arrin të realizohet, pasi bie brenda një gracke që Fatos Nano ia përgatit që nga burgu i Bënçës.
Nëpërmjet një loje strategjike, Nano mbështet në Kongresin e FRESH-it të 1994-s që Ilir Meta të zgjidhet kryetar, duke rrëzuar Pandeli Majkon. Të cilin e nxit që të flasë “lirshëm” nëpër media duke kritikuar regjencën e PS-së.
Meta, i rënë në grackë, del hapur dhe vijon bashkëpunimin me Berishën, sidomos në vitet 95-96, duke fabrikuar shkrime kundër disa politikanëve socialistë, për të krijuar kaos tek Fatos Nano.
Në vitin 1996, Berisha bën gati arrestimin e Gramoz Ruçit, i cili largohet jashtë vendit, me synimin që Ilir Meta të bëhet numri dy dhe të marrë në dorë edhe organizimin e PS. Por Nano çon mocionin për ndryshim, ku Ilir Metën e largon nga e gjithë udhëheqja. Në postin e numrit dy vihet Rexhep Meidani dhe pas tij Pandeli Majko, i cili drejtoi grupin e mocionistëve në kongresin e 1996-ës ku i ndjeri Dritëro Agolli tentoi të mbështesë Ilir Metën, por që në fund, nuk ja arriti.
Ilir Meta ndërkohë, ishte bërë çift me Monika Kryemadhin, e cila ishte një nga udhëheqëset e eurosocialistëve. Dalja e Fatos Nanos nga burgu e gjen Ilir Metën, të mënjanuar totalisht në udhëheqjen e PS-së. Por Nano e cakton sërish deputet në Skrapar e pas fitores i ofron postin e sekretarit të shtetit për ministrinë e Jashtme, duke i kërkuar heqjen dorë prej mandatit të deputetit. Meta nuk e pranon, e nis një luftë me Fatos Nanon, duke u kthyer së bashku me Anastas Angjelin, në raportuesin kryesor kundër tij në ambasadat e huaja. Kryesisht në atë të SHBA, Greqisë dhe Italisë.
Nëpërmjet njerëzve të tij në media, Angjeli me Metën bombardojnë me lajme kontrabandën masive që po zhvillonin grupi i Gaz Demit dhe Gramoz Ruçit, ku në 3 muajt e parë zhdoganimet ishin zero.
E njëjta gjë edhe në Portin e Durrësit, ku Nano kishte nisur të lëvizte grupin që e kontrollonte këtë port.
Në këtë kohë ky grup, duke ndjerë rrezikun nis të mbështesë edhe financiarisht Ilir Metën, i cili bëhet financiarisht i fuqishëm, duke ofruar rreth vetes e paguar disa nga gazetarët me influencë që në atë kohë ju jepeshin prurësit më të parë, e që sot i ke në panelet e darkës.
Ky presion shkakton efekt, e Athina sidomos, por edhe ambasada amerikane nis akuzat për korrupsion dhe trafiqe ndërkombëtare ndaj Fatos Nanos. I cili, duke e kuptuar burimin e të gjithë kësaj, ndërmerr një lëvizje spektakolare në qeveri. Emëron Anastas Angjelin, ministër të Punës dhe Çështjeve Sociale, duke larguar Elmaz Sherifin, bën pakt me Ilir Metën që mund të jetë Sekretar për Çështjet e Jashtme, duke ruajtur mandatin e deputetit, si dhe sjell Edi Ramën nga Parisi për ta bërë ministër të Kulturës.
Ilir Meta trembet shumë, sidomos kur në media, nis të përhapen lajme se bashkë me Ramën, Nano do të ngjisë në PS edhe zëdhënësin e tij Ben Blushi. Të dy intelektualisht shumë më lart se Meta, krijojnë një tension, që përfshin edhe shërbimet sekrete të vendeve fqinje.
Si përfundim, në shtator vritet Azem Hajdari dhe ndodh kryengritja ndaj kryeministrisë. Fatos Nano arratiset në Maqedoni, në ambasadën tonë në Shkup, ku ambassador ishte miku i tij, i ndjeri Fatmir Kumbaro.
Ilir Meta dhe Anastas Angjeli, të hipur në një diagaç marrin përsipër të tregojnë se kanë në dorë situatën.
Fatos Nano tenton të forcojë pozitat, por amerikanët i kërkojnë me ultimatum largimin. Nano emëron Pandeli Majkon kryeministër. Ky i fundit i bën konçesion Athinës, duke vendosur Anastas Angjelin në postin e ministrit të Financave, pra duke larguar Arben Malajn, njeriun e afërt të Nanos. Kurse Ilir Metën e bën zv.kryeministër.
Nano e kupton se Majko ishte nën ndikimin e binomit Angjeli-Meta, të cilët e kishin joshur se do ta bëjnë kryetar të PS-së. Gjë që gati ndodh në tetor të vitit 1999. Në maj, ndërkohë, Majko largon në mënyrë demonstrative ministrin e Brendshëm Petro Koçi, i afërt me Fatos Nanon dhe e zëvendëson me Spartak Poçin, të sugjeruar nga Ilir Meta e Anastas Angjeli. Poçi ishte kryetar i PS-së së Tiranës, ç’ka sipas Majkos do ta ndihmonte në manovrën për ta larguar Fatos Nanon nga partia.
Por në kongresin e tetorit fiton Fatos Nano, i cili emëron Ilir Metën Kryeministër, pasi ky i fundit ishte faktori që e ndihmoi për të rrëzuar Majkon, ndërkohë që përpara ishin dy zgjedhje ato vendore të 2000 dhe ato parlamentare të 2001.
Ilir Meta, i këshilluar nga Angjeli dhe këshilltarë të tij në PS, e shohin Edi Ramën, Ben Blushin, apo edhe të tjerë që po sillte Nano, si figura në ngjitje që mund të eklipsonin gardën e vjetër. Për këtë arësye Ilir Meta propozon që Edi Rama të jetë kandidat për kryetar i bashkisë së Tiranës për PS-në. Meta e bën këtë lëvizje për ta djegur Ramën, por kur Rama fiton, nxiton që ta bëjë aleat. Madje në prezencë të Fatos Nanos, Rama thotë se unë me Ilir Metën kemi një plan 10 vjeçar. Kryetari i PS-së, i xhindosur largohet, dhe në inat e sipër shkakton një aksident gati fatal me makinë.
Nano, në një ditë të keqe, shtrohet urgjent në një spital në Greqi. Edi Rama vrapon me një tufë lule për t’i uruar shërim të shpejtë. Ilir Meta xhindoset. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, Meta bën gjithçka për të fituar zgjedhjet si kryeministër, ndërkohë që Fatos Nano kishte synimin që të bëhej President dhe së bashku ngrenë skemën e Dushkut. Skemë ku Nano kësaj radhe bie pre e grackës së Ilir Metës. PS fiton dy të tretat e votave bashkë me aleatët, por ndërkombëtarët nuk ja njohin.
Ilir Meta, fiton garën me Fatos Nanon në KPD-në e PS-së, duke u zgjedhur kandidat për kryeministër përballë Arben Malajt. Fatos Nano sheh sërish fundin por bën gati betejën e radhës.
Ai hyn në lojë me gishta të thyer dhe bën paktin me Sali Berishën për Alfred Moisiun President. Ilir Meta kishte dy kandidatë të tjerë. Fiton Nano, që ndërmerr menjëherë lëvizjen për katharsis në PS dhe e rrëzon Ilir Metën. I cili jep dorëhqjen nga posti i kryeministrit, por ruan deputetët e tij në Kuvend. Nano detyrohet të bëjë pakt, por përkohësisht emëron një qeveri patronazhi “Majko 2”.
Në verë, disa biznesmenë që po tentonin të bëheshin oligarkë, afrojnë Ramën e Metën në një pakt që njihet si “Pakti i Korfuzit” për një qeveri të përbashkët. Ku Nano të kthehet kryeministër, e Meta zëvendës. Të dy e dinin hilenë dhe ishin përgatitur që ta fusnin në grackë njëri-tjetrin.
Meta nuk qëndroi as gjashtë muaj në qeveri dhe Nano e zboi nga PS në kongresin e fundit të 2003. Aty lindi LSI, ku Ilir Meta mori me vete të gjithë të pakënaqurit nga katharsisi i Nanos duke ju premtuar se do t’i marrë partinë kryetarit. Arriti t’i hedhë ‘trutë e gomarit’ të gjithëve në PS që u kishte ardhur në majë të hundës nga Fatos Nano dhe arriti ta rrëzojë nga pushtetin në zgjedhjet e vitit 2005. Ky akt politik e zboi Ilir Metën përfundimisht nga PS së bashku me ato figura që kishte terheqë pas vetes. Pasi kishte sjellë në pushtet Sali Berishën.
Edi Rama ndërkohë, kishte dy vite që proklamonte nëpër takime partie që do vijë Berisha, të cilin e ndihmonte me Koço Kokëdhimën dhe lëvizjen ‘Mjaft’ të Erion Veliajt. Kaposhat, doganierë e tatimorë të PS-së talleshin me Edin, që në fakt u doli “profet”, të cilin e votuan në vitin 2005 si kryetar të PS-së. Gjë që e tërboi Ilir Metën, që tentoi një lojë të ngjashme për të rihyrë në lojë.
I ngjitet Ramës në koalicionin e 2007-s, por nuk rrijnë bashkë as një vit, më pak madje. Këtu rifutet në lojë Fatos Nano, i cili siç e tregoi koha ka qenë një ‘proxy’ i fshehtë i Edi Ramës. Që vuri në gjumë si Sali Berishën ashtu edhe Ilir Metën. Ky i fundit, në vitin 2009 bën koalicionin e famshëm me Sali Berishën dhe i zhytet pushtetit, duke tentuar të marrë një elektorat, që përgjithësisht kishte votuar edhe djathtas por nuk ishte i bindur i PD-së.
Edi Rama, merr një këshilltar britanik, i cili konsiderohet gjeni. Ai i jep këshillë ta acarojë situatën, që ta bëjë toksike marrëdhënien mes Berishës dhe Metës.
Ilir Meta, i hyn me lopatë, sa bën edhe njerëzit e tij të tmerrohen nga lubia e korrupsionit edhe e abuzimit, edhe pse vetë këta zyrtarë u pasuruan në mënyrë të shpejtë.
Ndodh video e bujshme e Dritan Priftit. Sali Berisha e mbron Ilir Metën me të gjitha mjetet për të mos shkuar në burg dhe pastaj e përdor si peng, siç e ka pasur gjithmonë.
Ndodh 21 janari i tmerrshëm i vitit 2011, e pas pak mujash zgjedhjet lokale, ku Ilir Meta i hyn me dhunë elektoratit të majtë, kryesisht në njësinë 5 dhe 7 në Tiranë për të blerë vota në familjet e varfra. Me këtë punë janë marrë kolonelët e tij Petrit Vasili dhe Edmond Haxhinasto. Vota arriti në 50 euro për frymë, aq sa blihet sot në Italinë e Jugut.
Synimi i Metës ishte të rrëzonte Edi Ramën politikisht, gjë që nuk ja arriti, pasi në fund Lulzim Basha e mori bashkinë në tavolinë. Pikërisht me fitoren e Lulzim Bashës në krye të bashkisë së Tiranës kanë nisur edhe negociatat e Ilir Metës me Edi Ramën. I cili i çon sinjalin e parë, i nxitur edhe nga këshilltari i tij britanik.
Sali Berisha që ishte në dijeni të të gjitha tratativave, i informuar nga njerëzit e Edi Ramës, i kujton se i ka ende letrat e tij në dorë, ndaj Meta voton Presidentin e Berishës, Nishanin, Kryeprokurorin e Berishës, Llallën dhe anëtarët e Kushtetueses e të Gjykatës së Lartë, siç i donte Saliu.
Ndërkohë, Edi Ramës i kërkon një copë të madhe pushteti, duke i premtuar se do ta rrëzojë Sali Berishën si kryeministër përpara zgjedhjeve të vitit 2013, duke u larguar nga koalicioni më 1 prill. Por Edi Rama i jep Sali Berishës tre deputetë të tij. Për të ulur peshën spefifike të aleatit që kërkon të bëhet i rëndësishëm më shumë se ç’është. Meta xhindoset dhe i hyn sërish operacionit të blerjes së votave, kësaj radhe tek e djathta. Kryesisht në njësinë 8 dhe 10 të Tiranës, me logjikën për t’i pasur edhe në zgjedhjet lokale.
Më 23 qershor 2013, Edi Rama dhe Ilir Meta fitojnë 1 milionë vota, ku PS merr 66 deputetë, dhe LSI 16. Së bashku mund të miratojnë çdo ligj.
Ilir Meta bëhet Kryetar i Parlamentit dhe Edi Rama Kryeministër. Rama e nis me provokim, duke i sjell një variant të BKH-së nën kontroll nga ministria e Brendshme; Meta destabilizohet dhe e rrëzon, më pas kreu i PS-së bëhet i butë dhe pranon një ritual që Ilir Meta e konsideron si fitore. Sipas së cilës kryeministri duhet të shkojë në zyrën e tij çdo të enjte, që Rama e bën, deri në momentin kur sjell në Parlament reformën në Drejtësi.
Aty Ilir Meta rilidhet me Sali Berishën dhe së bashku bëjnë planin për të rrëzuar Edi Ramën. I cili e fut në kurth me Koço Kokëdhimën, që luan Moisi Golemin dhe Rexhep Meidanin që bën viktimën. Rama mbijeton duke i marrë deputetë LSI-së, si Shkëlqim Selamin dhe një deputet të Beratit.
Pas kësaj vjen çadra, pastaj amerikanët, pakti me Bashën e Ilir Meta që i kërkon ndihmë Sali Berishës, i cili i fal votat e tij më radikale.
Ndërkohë që Meta, po me Edi Ramën negocion ta bëjë President të Republikës. Me votat e PS-së dhe LSI-së. PD nuk e voton. Meta bëhet President dhe Edi Rama fiton zgjedhjet. LSI fiton 18 deputetë por që nuk i duhen askujt, Ilir Meta destabilizohet sërish dhe emëron të shoqen në krye të partisë. Më pas ndodh 2019, djegia e mandateve, dekreti, komisioni për shkarkim, mbyllja e mandatit, pazaret më Ramën për një armëpushim, e në fund në 2021 rrëzimi.
Ilir Meta, duke e parandjerë këtë si një komplot ndërkombëtar ndaj tij, bëhet agresiv, konnsumon alkoolizohet dhe shfaqet në studio televizive i rënduar, duke u përplasur live me ambasadën amerikane në Tiranë.
Ku mbahen mend shprehet lapidare: Të më bombardojnë te Mali me Gropa, apo Armë Bërthamore ka edhe Rusia e Korea e Veriut. Të thëna natyrisht nën efektin e avujve të rakisë së Skraparit.
LSI përfundon me një grup prej vetëm 4 deputetësh, të cilët nuk i nevojiten as Edi Ramës që ka 74+3 aleatë, dhe as Lulzim Bashës, i rrënuar totalisht.
Pasi prek fundin e tij politik, Meta tenton të rishpikë veten e partinë, duke bërë armike gruan e njerëzit e saj në LSI, së cilës i ndërron emrin: Partia e Lirisë. Por asgjë, gjithçka është e kotë, edhe pse në mënyrë qesharake sulmon SPAK-un dhe kreun e tij, Altin Dumani.
Të gjithë e mbajnë mend si ngjarjen më të rëndësishme arrestimin e dhunshëm të Metës nga policë të maskuar, e më pas mbylljen në qeli ku ndodhet edhe sot. Njeriu që ka marrë në moshën më të re të gjitha postet e larta të shtetit: Kryeministër, Kryetar Parlamenti, president, ministër, Zv.kryeministër e deputet, por që sot nuk është asgjë. Arriti të fusë me shiringa parash idenë në opinion sikur është ‘kingmaker’, pra faktori i tretë politik, por që në realitet u përdor si ‘xhol’ nga të mëdhenjtë e politikës; Fatos Nano, Sali Berisha e Edi Rama.
Të cilët sot nuk kanë as një mëshirë për njeriun që e përdorën, e sot e shtrydhën deri në pikën e fundit të lëngut acid./Pamfleti
Lini një Përgjigje