Në Shqipëri nuk ka opozitë dhe as pushtet, ka vetëm një regjim me dy kokë. Në mes qëndron vota e shqiptarëve, e kthyer në alibi për të ruajtur pushtetin dhe pasuritë...
Zgjedhjet e fundit, të zhvilluara me sistem të mbyllur, me lista të diktuara nga lart dhe me qëllime të ulëta për mbijetesë pasurore, provuan për të disatën herë atë që është ulur këmbëkryq në ndërgjegjen publike: Sali Berisha dhe Edi Rama janë bashkë.
Prej dekadash ata luajnë rolin e armikut të përbetuar me njëri- tjetrin, ndërsa në prapaskenë ndajnë pasuritë, institucionet dhe drejtësinë. Bashkë i kanë mbijetuar çdo reforme, çdo trysnie nga SHBA-të dhe çdo skandali që ka tronditur botën, por që nuk ka tronditur as qimet e drejtësisë shqiptare.
Sepse kanë në dorë gjithçka. Edhe votën.
Me votën e shqiptarëve kanë vrarë demokracinë dhe kanë vendosur në vend të saj një regjim hibrid, ku votuesi është thjesht një kartë teknike që firmos për të keqen më të vogël, që në fakt është njësoj me të keqen më të madhe.
Sali Berisha mund të duket se nuk ka më imunitet. Por pasuritë marramendëse të fëmijëve të tij, janë pasqyrim i pasurive të klanit Rama. Dhe akuzat që i bëhen, janë më shumë skenar sigurie politike sesa drejtësi. Për të mbajtur të gjallë shfaqjen dhe për të ruajtur balancën e frikshme të “diktatit me rotacion”.
Sot, drejtësia shqiptare është një estradë që e drejton vetëm një njeri: Edi Rama. Dhe nëse nuk bie Berisha me dënim real, nuk bie dot as Rama. Sepse janë si dy duar që lajnë njëra-tjetrën.
Të gjitha kritikat ndërkombëtare për kapjen e shtetit dhe drejtësisë janë vetëm nota proteste për sytë e publikut, por në thelb, mirëkuptime të heshtura që lejojnë këtë simbiozë të turpshme midis një autokrati të instaluar dhe një autokrati të plakur.
Në këtë vend, zgjedhjet janë teatër, drejtësia është skenar dhe shteti është instrument personal i interesave të dyshes Berisha-Rama.
Janë ndarë në fasadë, por janë një në thelb. Edhe kur kritikohen nga ndërkombëtarët, edhe kur bëjnë sikur nuk flasin me njëri-tjetrin, ata nuk ekzistojnë dot pa njëri-tjetrin. Sa kohë që njëri është në politikë, është edhe tjetri.
Dhe sa kohë që të dy janë në lojë, në Shqipëri nuk do të ketë kurrë demokraci./Pamfleti
Lini një Përgjigje