TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 7 Qershor 2025, 19:43

A do ta çojë SPAK-u deri në fund luftën kundër “peshqve të mëdhenj" në Shqipëri?

Shkruar nga Spartak Ngjela

A do ta çojë SPAK-u deri në fund luftën kundër

A do të vijojë me sukses lufta kundër korrupsionit të lartë shtetëror, të cilën SPAK-u po e zhvillon në rangjet e larta politike në Shqipëri?

Të gjithë shqiptarët sot po pyesin: Çfarë po ndodh në Shqipëri? A do të vijojë me sukses lufta kundër korrupsionit të lartë shtetëror, të cilën SPAK-u po e zhvillon në rangjet e larta politike në Shqipëri?

I.

Prandaj, SPAK-u është i detyruar të veprojë shpejt, sepse sot në Shqipëri të gjithë presin goditjen penale kundër korrupsionit në nivelet e larta të politikës shqiptare.

Sot në Shqipëri nuk po ndodh asgjë e veçantë, dhe kriza e së djathtës po dëmton demokracinë. Si pasojë, gjendja ekonomike mund të përkeqësohet në një nivel që pengon zhvillimin.

Është e rëndësishme të theksohet se një shtet nuk mund të ketë zhvillim ekonomik nëse nuk ka një opozitë të fortë dhe investime industriale për rritjen e prodhimit industrial në nivel kombëtar.

Kjo, sepse një demokraci e shëndetshme në një shtet nënkupton një opozitë të fuqishme.

Por opozita shqiptare sot është në krizë, sepse lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është i akuzuar nga SPAK-u për korrupsion dhe po pret gjyqin e hapur kundër tij.

Prandaj, në Shqipëri, pikërisht për shkak të këtij fakti, shihet se sot mungon një opozitë e djathtë efektive kundër të majtës socialiste që është në pushtet.

Gjithashtu, nuk ka investime të mjaftueshme në prodhimin industrial, dhe gjendja ekonomike ndodhet në stanjacion.

II.

Por e gjithë kjo po ndodh sepse, siç u përmend më lart, maxhoranca socialiste në pushtet ndihet e sigurt. Kjo siguri e Partisë Socialiste, që buron nga dobësimi maksimal politik i Partisë Demokratike, ka dobësuar ekonominë tonë aktuale dhe ka bllokuar njëherësh edhe punësimin në Shqipëri. Si rrjedhojë, emigracioni i të rinjve shqiptarë drejt Perëndimit po vazhdon.

Ky është një dëm i madh ekonomik që po i shkaktohet Shqipërisë vazhdimisht. Prandaj, ne pyesim: Sa do të vazhdojë kjo gjendje e bllokimit të zhvillimit ekonomik në Shqipëri?

Kjo situatë do të vazhdojë derisa Sali Berisha të mbetet një figurë qendrore në politikën shqiptare, pa një program politik të qartë, dhe Partia Socialiste të jetë e sigurt në pushtet.

Sali Berisha sot është, në fakt, sinonim i krizës politike në Shqipëri, sepse ai është shkaku kryesor i krizës së thellë të së djathtës. Dhe kjo situatë nuk mund të jetë ndryshe kur kryetari i saj është nën akuzë penale nga SPAK-u për korrupsion dhe është shpallur person non grata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj, pyetja mbetet: Çfarë do të bëjnë shqiptarët? A do ta gjejnë mundësinë për të reformuar të djathtën në Shqipëri?

Kjo mbetet për t’u parë, dhe ndërkohë progresi demokratik në Shqipëri po pret përfundimin e procesit gjyqësor penal ndaj Sali Berishës, me akuzën për korrupsion, të ngritur nga SPAK-u.

Të shohim: A do ta çojë SPAK-u deri në fund luftën kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri?

Shenjat tregojnë se, me ndihmën e ekspertizës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lufta kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri do të shkojë deri në fund.

Të presim për të parë se si do të zhvillohet kjo situatë ligjore, e cila pritet të forcojë shtetin dhe demokracinë në Shqipëri.

Lini një Përgjigje