
Nga Velipoja në Sarandë, nga Durrësi në Gjirin e Lalzit; 70% e pronave turistike janë në duart e politikanëve, familjarëve dhe njerëzve të lidhur me pushtetin. Raporti kërkon hetim pasuror për elitën politike që ka kthyer Shqipërinë në një çiflig privat...
Një raport i ri i hartuar nga një grup ekspertësh shqiptarë, të mbështetur nga fondet e Bashkimit Europian dhe të lidhur me institucione partnere europiane, pritet të shkaktojë një tërmet politik dhe publik në Shqipëri.
Dokumenti, i cili ka ardhur si rezultat i një pune disa mujore me të dhëna të mbledhura nga terreni, nga hetime të hapura, burime inteligjente dhe arkiva të qeverisë, është një hartë e detajuar e grabitjes sistematike të pronës publike e private nga politika shqiptare në 30 vitet e fundit.
Kush ka Shqipërinë në xhep?
Në fokusin e raportit janë mbi 70% e pronave në zonat më të kërkuara turistike të vendit, të cilat rezultojnë të jenë në duart e drejtpërdrejta ose tërthorazi të zyrtarëve të lartë të shtetit, politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve, deputetëve dhe familjeve të tyre. Një pjesë e këtyre pronave janë formalizuar me “presta nome”, persona nën kontrollin e elitës politike që administrojnë asetet në emrin e tyre, ndërsa fitimi përfundon te të zotët e vërtetë.
Nga Saranda në Velipojë: toka të pushtuara, vila e hotele për oligarkinë politike
Raporti përshkruan një panoramë të frikshme të transformimit të pronës publike dhe tokës bujqësore në pasuri private luksoze përmes lejeve të personalizuara, legalizimeve me dokumente fallco, kontratave me qeverinë dhe mbështetjes së hapur nga bashkitë dhe institucionet shtetërore.
Në veri përmendet deputetja e PS-së Xhenis Çela, e bija e ish-deputetit Agron Çela, si pronare e disa strukturave turistike në Velipojë. Në jug përmendet Luan Baçi, deputet i PD-së për Fierin, si pronar i një hoteli luksoz në Ujin e Ftohtë të Vlorës, përballë vilës qeveritare ku pushon Edi Rama.
Bregdeti, një pronë ekskluzive e “kastës”
Në raport përmenden edhe emra ish-deputetësh të PS dhe PD, të cilët ndonëse nuk janë më aktivë politikisht, vijojnë të kontrollojnë zona të tëra në bregdetin jugor, sidomos në Vlorë, Dhërmi, Palasë, Jale e Ksamil, me hotele, resorte dhe vila.
Një ish-deputet i PS, i lidhur me Gramoz Ruçin, rezulton të jetë aktor kyç në projektet e portit turistik të Vlorës. Ndërsa një ish-deputet i PD-së në këtë qark ka ndërtuar një nga hotelet më luksoze të jugut me lidhje të drejtpërdrejta me firmat që fitojnë tendera në infrastrukturën rrugore e energjetike.
Durrësi, Golemi dhe Gjiri i Lalzit, pjesë e hartës së pushtetit
Tirana, Durrësi, Golemi, Gjiri i Lalzit dhe zonat e urbanizuara në periferi të Tiranës janë po ashtu pjesë e një zinxhiri pronësor që të çon drejt figurave politike. Në shumë raste, pasuritë figurojnë në emër të shoqërive anonime, por fitimi gjurmohet tek personazhe me pushtet të fortë politik dhe ekonomik.
Rekomandimi i fortë për SPAK-un: Hetim pasuror pa përjashtim
Në përfundimet e raportit theksohet se pjesa më e madhe e këtyre pronave kanë kaluar në mënyrë të dyshimtë, me shumë prej tyre që nuk kanë asnjë të dhënë për burimin e kapitalit të ndërtimit. Raporti i kërkon në mënyrë të qartë Bashkimit Europian të kushtëzojë financimet për institucionet e drejtësisë, derisa SPAK të nisë një hetim pasuror gjithëpërfshirës për të gjithë politikanët aktivë dhe të tërhequr, gjyqtarë, prokurorë dhe familjarët e tyre.
Ky dokument i mbështetur nga BE është një akt-akuze e drejtpërdrejtë ndaj elitës politike që ka trajtuar Shqipërinë si një çiflig personal, duke i kthyer tokat, bregdetin dhe çdo aset publik në pronë të klanit të tyre. Shqipëria turistike është në pronësi të pushtetit. Dhe ky raport e dokumenton me fakte./Pamfleti
Lini një Përgjigje