Në Shqipërinë e Ramës, drejtësia funksionon si një teatër absurd: nuk dënohet kush vjedh, por kush sfidon. Rasti Veliaj është shfaqja më e qartë e një shteti të kapur ku drejtësia është thjesht instrument hakmarrjeje politike…
Nëse ka një mënyrë për të kuptuar çfarë po ndodh sot me drejtësinë shqiptare, nuk ka nevojë të lexosh dosje të gjata të SPAK-ut apo të qëmtosh vendimet e gjykatave. Mjafton të ndjekësh një parim të thjeshtë: kush i bëhet pengesë Edi Ramës, burgoset. Kush i shërben, shpërblehet.
Erion Veliaj nuk është në burg për inceneratorët. As për koncesionet, as për aferat e mirënjohura në Bashkinë e Tiranës. Sepse po të ishte kështu, do të duhej në burg vetë Edi Rama, njeriu që ka firmosur dhe mbikëqyrur nga afër të gjithë zinxhirin e aferave të mëdha kombëtare, nga sterilizimi te rrugët dhe portet, nga fondet e BE-së te PPP-të. Erion Veliaj është në burg për dy arsye shumë më të thella dhe politike: sepse nuk e ndau më pushtetin me shefin dhe sepse nisi të krijonte një kanal të pavarur komunikimi me Perëndimin.
Rrëzimi i Veliajt është më shumë se një hakmarrje personale. Është një mesazh publik ndaj të gjithë atyre që guxojnë të kenë ambicie politike pa bekimin e liderit suprem. Ai nuk është rrëzuar për shkak të ndonjë denoncimi opozitar apo zbulimi spektakolar të drejtësisë. Jo. Rasti i tij është produkt i një vendimi të qartë politik të vetë Edi Ramës: të izolojë, shkatërrojë dhe poshtërojë çdo alternativë që mund t’i krijojë një ditë sfidë. Dhe këtë po e bën me mjete brutale, të zbukuruara me dekorin e “drejtësisë së re”.
Ironia është therëse: Veliaj mbahet në burg për disa fustane të porositura “online”, ndërkohë që në këtë vend, njerëz që kanë nënshkruar miliarda euro në kontrata të dyshimta janë të lirë dhe të fuqishëm.
Në oborrin e Edi Ramës, ministrat që kanë firmosur çdo marrëzi financiare janë promovuar, jo ndëshkuar.
Edhe në kampin e opozitës e njëjta gjë. Kujtoni rastin e Fatmir Mediut, që ndonëse u rikthye në gjykatë për Gërdecin, po gjykohet i lirë, pa asnjë shqetësim, për një krim që hodhi në erë një fshat të tërë. Ndërkohë, Veliaj mbahet brenda për etiketa fustanesh!
Kjo nuk është më drejtësi. Është një formë poshtërimi dhe dënimi publik që nuk ka lidhje me ligjin, por me kontrollin e pushtetit. Një formë mesjetare e “ndëshkimit” që shërben si paralajmërim: kush guxon të dalë nga rreshti, do të shkatërrohet. Sepse në Shqipërinë e Ramës, nuk ka më vend për ide, për gara politike, për rivalitet institucional. Ka vetëm një ligj: ligji i mbijetesës në hijen e një lideri që nuk fal, por godet në momentin që dikush fillon të rritet më shumë se sa duhet.
Dhe kjo është rrënimi përfundimtar i drejtësisë. Sepse kur drejtësia kthehet në një armë në duart e një njeriu të vetëm, nuk kemi më republikë, por një regjim personalist që i ngjan gjithnjë e më shumë modelit Erdogan; me fasadë demokratike, por me përmbajtje autokratike.
Në fund të ditës, burgosja e Veliajt nuk është as drejtësi, as përballje me korrupsionin. Është kronika e një hakmarrjeje të paralajmëruar, e një plani të vjetër për të shkatërruar çdo qelizë që mund të vetëshpallet alternativë. Dhe kjo është tragjedia e vërtetë e këtij vendi: që burgosen ata që bëjnë ‘gabim’ politik, jo ata që bëjnë krime ekonomike.
Sepse për Edi Ramën, më i rrezikshëm është një ambicioz që kërkon t’i marrë skenën, sesa një bashkëpunëtor që vjedh në heshtje. Dhe në këtë skemë, fustanet vlejnë më shumë se koncensionet dhe PPP./Pamfleti
Lini një Përgjigje