TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Tetor 2025, 20:09

Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut, VMRO pretendon fitore; reagojnë edhe partitë shqiptare

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut, VMRO pretendon fitore;

Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut janë mbyllur me pjesëmarrje të qetë dhe atmosferë demokratike në të gjitha komunat, ndërsa partitë kryesore kanë filluar të shpallin pretendimet për fitore, përpara se të publikohen rezultatet zyrtare.

Nga selia e VMRO-DPMNE, Timço Mucunski deklaroi se partia e tij pret fitore të madhe në shumicën e komunave të vendit. Ai i cilësoi pretendimet për parregullsi dhe manipulime si “strategji të LSDM-së për të justifikuar disfatën”.

Do të fitojmë në pjesën më të madhe të komunave. Presim një fitore të pastër dhe të qartë. Zgjedhjet ishin të qeta dhe përmbushën standardet më të larta demokratike”, deklaroi Mucunski.

Nga ana tjetër, VLEN, përmes zëdhënësit Driton Sulejmani, deklaroi se pjesëmarrja e lartë në votime është shenjë e mbështetjes në rritje për platformën e tyre. Ai u shpreh optimist se në disa komuna, gara do të përfundojë që në raundin e parë.

Jemi afër fitores në Çair, Tetovë, Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë. Qytetarët e kanë njohur ndryshimin në qeverisjen qendrore dhe presim të njëjtën për komunat”, u shpreh Sulejmani.

Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, reagoi pas mbylljes së votimit me një mesazh në rrjetet sociale, duke vënë theksin te pjesëmarrja qytetare.

Sot fituesi është qytetari – që beson në demokraci dhe në vlerat evropiane”, shkroi Ahmeti.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore priten të publikohen gjatë orëve të mbrëmjes. Deri atëherë, partitë mbeten në pritje, mes toneve triumfaliste dhe qëndrimeve kundërshtuese për integritetin e procesit.

Lini një Përgjigje