
Katër autorët u largun me dy skuterë, policia në kërkim të tyre...
Pamjet filmike të grabitjes spektakolare në Muzeun e Luvrit në Paris janë bërë publike, duke zbuluar një plan të përpiktë kriminal që çoi në vjedhjen e disa prej bizhuterive më të çmuara të historisë franceze, mes tyre edhe kurora e Perandoreshës Eugenie.
Sipas burimeve nga Le Parisien dhe BFMTV, autorët ishin katër persona; dy të veshur me jelekë të verdhë që hiqeshin si punëtorë ndërtimi, të cilët përdorën një kamion me pirun ngritës për të depërtuar në katin e parë të muzeut nga ana e Senës, në një zonë ku po kryheshin punime restaurimi. Dy të tjerët shërbenin si mbështetje dhe pritje në skuterë.
Në video, njëri nga autorët shihet duke hyrë në Sallën e Apollonit, ku ekspozohen “xhevahiret e Napoleonit” dhe “bizhuteritë e sundimtarëve francezë”. Me anë të një rrote metalike, grabitësit thyen dy vitrina të blinduara dhe rrëmbyen një set bizhuterish, përfshirë një gjerdan, vathë dhe dy kurora, njëra prej të cilave është ajo e Perandoreshës Eugenie.
Pas grabitjes, autorët u larguan sërish me ndihmën e makinës ngritëse dhe më pas u zhdukën me dy skuterë. Në vendngjarje u lanë pas mjete të përdorura gjatë krimit, përfshirë: rrota metalike, benzinë, doreza, një jelek pune dhe një radio. Policia gjithashtu gjeti të hedhur në rrugë një bizhuteri të dëmtuar, që rezulton të jetë pikërisht kurora e Eugenie-s, një objekt unik me 1,354 diamante dhe 56 smeralde.
Ndërsa Ministria franceze e Kulturës ka konfirmuar se janë vjedhur tetë stoli të çmuara:
-Diadema e mbretëreshës Marie-Amélie dhe e mbretëreshës Hortense
-Qaforja e safirëve e të njëjtave parura mbretërore
-Një palë vathë të parurës me safirë të Marie-Amélie dhe Hortense
-Qaforja me smeralde nga parura e Marie-Louise
-Një palë vathë smeraldi të parurës së Marie-Louise
-Brosha e njohur si “brosha relikare”
-Diadema e Perandoreshës Eugénie
-Dhe fjongoja e madhe e gjoksit e perandoreshës Eugénie
Autoritetet franceze kanë nisur një hetim të thelluar, ndërkohë që ngjarja ka rikthyer debatin mbi sigurinë në institucionet muzeale kombëtare.
Lini një Përgjigje