![]()
Sot po mbahen zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, teksa 1.8 milion qytetarë votojnë për kryetarët në 81 komuna.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, 39.61 përqind e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar deri në orën 17:00.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në komunën Novaci me 65,75 për qind, e ndjekur nga Çashka me 65,5 për qind, Vevçani me 61,84 për qind, Krusheva me 60,94 për qind dhe Dojrani me 60,91 për qind.
Pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje deri në ora 17 është regjistruar në komunën Qendër Zhupa me 19,15 për qind, e ndjekur nga Vrapçishti me 20,94 për qind, Mavrovë dhe Rostushë me 25,89 për qind dhe Gostivari me 28,02 për qind.
Në gjithë vend ka gjithsej 3.480 vendvotime. Për 81 poste të kryetarëve të komunave ka 309 kandidatë, ndërsa për vend në këshilla garojnë mbi 10.490 kandidatë nga gjithsej 576 lista. Këta kandidatë janë nga gjithsej 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe votuesish, përkatësisht kandidatura të pavarura.
Votimi filloi në orën 07:00 dhe qytetarët do të mund të votojnë deri në orën 19:00. Më pas do të nisë numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve të para.
Lini një Përgjigje