TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Tetor 2025, 16:17

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Shqiptarët në një betejë për pushtet dhe përfaqësim!

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Shqiptarët në një

Përtej komunave të veçanta, kjo është një përballje e madhe shqiptare për influencë politike...

Maqedonia e Veriut po mban sot zgjedhjet vendore, ku qytetarët po votojnë për kryetarë komunash dhe këshilla komunalë në 81 njësi vetëqeverisëse.

Këto zgjedhje mbahen për herë të parë duke reflektuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë së vitit 2021, çka ka sjellë ulje të numrit të anëtarëve të këshillave në 14 komuna. Në garë janë 5 koalicione, 18 parti politike dhe 57 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash, ndërsa për këshillat komunalë janë regjistruar 6 koalicione, 28 parti dhe 67 lista të pavarura.

Për komunitetin shqiptar, që përbën rreth një të katërtën e popullsisë së vendit, këto zgjedhje përbëjnë një moment vendimtar për të matur forcën reale politike dhe ndikimin në qeverisjen lokale. Dy blloqe rivale garojnë me ambicie të mëdha: Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pas më shumë se dy dekadash në pushtet dhe tashmë në opozitë, kërkon rikthimin, ndërsa Koalicioni VLEN, që për herë të parë ndodhet në pozitë pas përjashtimit të BDI-së nga qeveria, synon të konsolidojë terrenin.

Në qytetin e Tetovës, beteja zhvillohet ndërmjet Bilall Kasamit të VLEN-it, që kërkon një mandat të dytë me theks në përmirësimin e shërbimeve bazike, si furnizimi me ujë dhe arsimi, dhe Bajram Rexhepit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, i cili premton një qytet të gjelbër dhe ndërmarrje publike për urbanistikën. Në komunën e Sarajit, përfaqësuesi i VLEN-it Muhamet Elmazi ka përqendruar fushatën në zgjidhjen e krizës së ujit të pijshëm, ndërsa kandidati i BDI-së, Blerant Ramadani, fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit.

Në Gostivar, kryetari aktual Valbon Limani është zotuar për zgjidhjen e ndotjes së Vardarit përmes trajtimit të ujërave të zeza, një çështje e kahershme për qytetin. Ndërkohë, në Çair të Shkupit, përplasja ka marrë formën e një përballjeje politike të ngurtë mes Izet Mexhitit të VLEN-it dhe Bujar Osmanit të BDI-së. Asnjëri prej tyre nuk ka pranuar një debat përballës, çka tregon tensionin e lartë dhe peshën simbolike të kësaj komune.

Përtej komunave të veçanta, kjo është një përballje e madhe shqiptare për influencë politike. Pushteti lokal, në një shtet ku shumëçka qeveriset nga qendrat urbane me dominim maqedonas, për shqiptarët mbetet portë për investime, punësime, riorganizim të shërbimeve dhe mbi të gjitha për përfaqësim. Komunat me shumicë shqiptare shpesh mbeten të anashkaluara në nivel qendror, ndaj kontrolli i tyre është jetik për avancim.

Kjo përplasje politike reflekton një ndarje të thelluar brenda elektoratit shqiptar, ku BDI e VLEN nuk ndahen vetëm për kauzat që shpallin, por edhe për mënyrën si e lexojnë të ardhmen e shqiptarëve në këtë shtet. Ajo që mbetet në duart e votuesve është jo vetëm zgjedhja e emrave që do të udhëheqin komunat, por edhe definimi i drejtimit të ri për një komunitet që kërkon të dalë nga hija e instrumentalizimit dhe të kthehet në faktor të pakontestueshëm politik në Maqedoninë e Veriut. /Pamfleti

Lini një Përgjigje