TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Tetor 2025, 15:38

Çfarë ka në galerinë Apollo dhe sa të zakonshme janë vjedhjet në Luvër?

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë ka në galerinë Apollo dhe sa të zakonshme

Galeria e Apolonit në Luvër, ku raportohet se u krye një super grabitje, është ndër më të çmuarat e muzeut francez, pasi aty ruhen stolitë e mbetura të kurorës mbretërore të Francës.

Pjesa më e madhe e thesareve mbretërore u zhdukën ose u shitën pas Revolucionit Francez, por disa objekte me vlerë të jashtëzakonshme historike e simbolike mbetën. Ato përfshijnë stoli të blera më vonë për Perandorin Napoleon, nipin e tij Napoleonin III dhe bashkëshortet e tyre – perandoreshat Mari-Luiza dhe Zheninë.

Sipas faqes zyrtare të Luvrit, tre diamantët më të famshëm që ruhen në këtë galeri janë Regenti, Sansi dhe Hortensia – gurë të paçmuar që përfaqësojnë lavdinë dhe tragjedinë e monarkisë franceze.

Vjedhjet në Luvër janë të rralla, por jo të pamundura. Më e famshmja ndodhi në vitin 1911, kur u vodh piktura e Leonardos, Mona Liza. Në atë kohë, vepra nuk kishte famën që ka sot. Poetët dhe artistët avangardë të Parisit, si Guillaume Apollinaire dhe Pablo Picasso, u morën në pyetje nga policia, por në fund, fajtor u shpall një italian që donte ta “kthehej” pikturën në vendlindje.

Tabloja u gjet në Firence tre vjet më pas dhe u rikthye në Paris.

Një tjetër vjedhje e mistershme ndodhi në vitin 1983, kur disa pjesë të një armature të shekullit XVI u zhdukën nga muzeu. Ato u gjetën rastësisht në vitin 2011. Në vitin 1998, tabloja “Rruga e Sevres” e artistit Camille Corot u hoq nga muri pa u parë nga askush – një incident që detyroi Luvrin të rishikonte të gjithë sistemin e tij të sigurisë. Kjo vepër mbetet ende e humbur.

Lini një Përgjigje