
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në një nga konviktet e Universitetit Shtetëror të Oklahomës (OSU), ku disa persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Policia e kampusit njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 03:40 të mëngjesit në ndërtesën rezidenciale “Carreker East”.
Shefi i policisë së OSU, Michael Beckner, konfirmoi se mes të plagosurve ka të paktën një student të universitetit. Viktimat janë transportuar për trajtim mjekësor në spitale në qytetet Oklahoma City dhe Tulsa, por ende nuk ka informacione zyrtare mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Sipas mediave lokale, përfshirë KOCO-TV, tre persona janë shtruar në spital si pasojë e ngjarjes. Autoritetet konfirmuan se nuk ka një kërcënim aktiv për publikun, duke qetësuar komunitetin universitar dhe banorët përreth.
Policia nuk dha detaje nëse ndonjë person është arrestuar apo nëse autorët e dyshuar janë mes të plagosurve. Hetimet paraprake tregojnë se incidenti ka ndodhur pas një feste private jashtë kampusit, pjesëmarrësit e së cilës më pas janë kthyer në konvikt, ku më vonë ka ndodhur edhe të shtënat.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
Lini një Përgjigje