TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Tetor 2025, 18:51

Izraeli godet sërish Hamasin, reagon SHBA: Mos e shkelni armëpushimin, reagoni me maturi!

Shkruar nga Pamfleti

Izraeli godet sërish Hamasin, reagon SHBA: Mos e shkelni armëpushimin,

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore në qytetin Rafah, në jug të Rripit të Gazës.

Izraeli pretendon se këto goditje janë përgjigje ndaj sulmeve të kryera nga Hamasi, të cilat janë mohuar kategorikisht nga organizata palestineze.

“Si përgjigje ndaj shkeljes flagrante të marrëveshjes së armëpushimit më herët gjatë ditës, ushtria izraelite ka nisur një seri goditjesh ndaj objektivave të Hamasit në jug të Rripit të Gazës”, thuhet në deklaratën zyrtare të ushtrisë.

Ndërkohë, si Izraeli ashtu edhe Hamasi vijojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, e cila ka hyrë në fuqi më 10 tetor.

Sulmet izraelite janë përqendruar në anën lindore të Khan Yunis, gjithashtu në jug të enklavës palestineze.

Ndërkohë, SHBA po përpiqet të parandalojë prishjen e armëpushimit për shkak të përshkallëzimit të sotëm në Gaza.

Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zhvilluan bisedime me ministrin izraelit për Çështje Strategjike, Ron Dermer, duke i kërkuar të përmbahen dhe të reagojnë me maturi pas sulmeve ndaj trupave të IDF në jug të Gazës.

Më herët, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi Hamasin se do të ketë pasoja të rënda në rast sulmesh kundër trupave izraelite apo nëse do të ketë shkelje të mëtejshme të armëpushimit.

“Hamasi do të paguajë një çmim të rëndë për çdo sulm ndaj ushtarëve tanë dhe për çdo shkelje të armëpushimit në Gaza. Hamasi do të mësojë sot në mënyrë të ashpër se ushtria izraelite është e vendosur të mbrojë trupat e saj dhe të parandalojë çdo dëm ndaj tyre”, deklaroi Katz.

Po ashtu, Izraeli kreu edhe sulme ajrore në përgjigje të sulmeve terroriste ndaj pozicioneve të tij në rajon.

Lini një Përgjigje