TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Tetor 2025, 19:19

Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut, mbyllet procesi i votimit

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut, mbyllet procesi i votimit

Mbyllet procesi i votimit për zgjedhjet lokale të teta në Maqedoninë e Veriut. Që prej orës 7 e mëngjesit, qytetarët shfrytëzuan mundësinë e të drejtës së votës në gjithsej 3.480 qendra votimi në mbarë vendin.

Të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) tregojnë se 1.832.415 qytetarë kishin të drejtë vote për të zgjedhur 80 kryetarë komunash dhe anëtarët e këshillave komunal në gjithë vendi, si edhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të Qytetit të Shkupit.

Të dhënat e fundit të komisionit zgjedhor tregojnë se numri i votuesve deri në ora 17:00 ishte 39,85 për qind.

Pjesëmarrje më e lartë deri në këtë orë është shënuar në komunën Novaci me 65,75 për qind, e ndjekur nga Çashka me 65,5 për qind, Vevçani me 61,84 për qind dhe Krusheva me 60,94 për qind.

Ndërkohë, pjesëmarrja më e ulët është shënuar në komunën Qendër Zhupa me 19,15 për qind, e ndjekur nga Vrapçishti me 20,94 për qind, Mavrovë dhe Rostushë me 25,89 për qind dhe Gostivari me 28,02 për qind.

Ditën e djeshme, një ditë para zgjedhjeve, votuan të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, gjithashtu edhe personat në azile pleqsh.

Në këtë proces zgjedhor, 309 kandidatë garuan për postin e kryebashkiakëve, ndërsa për këshillat komunal janë paraqitur 576 lista me gjithsej 10.490 kandidatë. Në këto zgjedhje morën pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.

KSHZ-ja duhet të shpallë rezultatet fillestare të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit brenda 12 orëve pas mbylljes së procesit. Për monitorimin e zgjedhjeve, KSHZ-ja kishte akredituar 697 vëzhgues vendor dhe 639 vëzhgues të huaj.

Zgjedhjet e sotme do të pasohen nga raundi i dytë më 2 nëntor, në komunat ku asnjë kandidat nuk arrin shumicën e nevojshme në raundin e parë.

Gjatë fushatës 20-ditore, e cila nisi më 29 shtator dhe përfundoi në mesnatën e 17 tetorit, partitë politike dhe kandidatët e pavarur kanë zhvilluar tubime e takime me qytetarët, duke premtuar përmirësim të infrastrukturës, shërbimeve publike dhe zhvillimit ekonomik lokal.

Këto janë zgjedhjet lokale të teta në Maqedoninë e Veriut, pas atyre të viteve 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.

Lini një Përgjigje