
Një përplasje e re ka shpërthyer në Uashington rreth shkarkimit të Susan Monarez, drejtoreshë e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vetëm një muaj pas konfirmimit të saj në këtë post nga Senati. Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale (HHS) njoftoi të mërkurën se Monarez ishte shkarkuar, por pa dhënë shpjegime për arsyet.
Monarez, një eksperte e sëmundjeve infektive, ka refuzuar të pranojë vendimin dhe përmes avokatëve të saj ka deklaruar se vetëm presidenti mund ta shkarkojë. “Si një zyrtare e emëruar nga presidenti dhe e konfirmuar nga Senati, vetëm vetë presidenti mund ta largojë nga detyra. Për këtë arsye, njoftimi i marrë është i pavlefshëm dhe ajo vazhdon të mbetet drejtoreshë e CDC-së,” tha avokati i saj, Mark Zaid. Ai shtoi se kanë njoftuar këshillin ligjor të Shtëpisë së Bardhë për këtë qëndrim.
Nga ana e tij, zëdhënësi i Trump, Kush Desai, tha se shkarkimi ishte i justifikuar. “Susan Monarez nuk është në përputhje me axhendën e Presidentit për të bërë Amerikën sërish të shëndetshme. Ajo refuzoi të dorëhiqej, megjithëse i kishte njoftuar drejtuesit e HHS për këtë synim. Për këtë arsye, Shtëpia e Bardhë e ka larguar nga detyra.” Në të njëjtën linjë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi se shumë shpejt do të shpallet emri i zëvendësuesit të Monarez.
Vendimi për shkarkimin ka shkaktuar një krizë të brendshme në CDC. Katër drejtues të tjerë të lartë kanë dhënë dorëheqjen, duke denoncuar ndërhyrjet politike në punën e tyre, shkurtime të buxhetit dhe përhapjen e dezinformimit nën administratën Trump. Institucioni ndodhet nën mbikëqyrjen e sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., i njohur për qëndrimet e tij kundër vaksinimit. Vetëm një ditë më parë, ai kufizoi përdorimin e vaksinave anti-Covid në SHBA, pasi më herët kishte reduktuar fondet për kërkimin mjekësor dhe kishte larguar këshilltarët shkencorë.
Avokatët e Monarez e akuzuan administratën për përdorimin e shëndetit publik për qëllime politike: “Fillimisht ishin komitetet këshillimore të pavarura dhe ekspertët me përvojë. Më pas u goditën shkencëtarët karriere. Tani, Sekretari Kennedy dhe HHS po e shndërrojnë shëndetin publik në armë politike, duke vënë në rrezik miliona jetë.”
Ky është tashmë rasti i dytë brenda pak ditësh që tregon përplasjen mes pushtetit presidencial dhe institucioneve të pavarura amerikane. Vetëm javën e kaluar, guvernatorja e Rezervës Federale, Lisa Cook, paditi administratën Trump pas shkarkimit të saj të diskutueshëm, duke argumentuar se vetëm me vendim gjykate mund të hiqet nga detyra. Edhe aty, Shtëpia e Bardhë e justifikoi lëvizjen si të ligjshme.
Dy episodet e fundit tregojnë se Donald Trump po përballet me rezistencë të hapur nga brenda institucioneve amerikane, të cilat historikisht kanë qenë të mbrojtura nga ndërhyrja politike. Konflikti për postin e Monarez, ashtu si rasti Cook, mund të kthehet në një betejë ligjore me pasoja të thella mbi pavarësinë institucionale dhe kufijtë e pushtetit presidencial në SHBA.
Lini një Përgjigje