TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Gusht 2025, 21:29

Trump i pakënaqur me sulmet ruse në Ukrainë, por pranon se “të dyja palët nuk janë gati për paqe”

Shkruar nga Pamfleti

Trump i pakënaqur me sulmet ruse në Ukrainë, por pranon se

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur i pakënaqur pas valës së fundit të sulmeve ruse me raketa dhe dronë mbi Ukrainën, ku humbën jetën të paktën 15 persona dhe u dëmtuan disa ndërtesa. Lajmin e bëri të ditur sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila theksoi se presidenti do të dalë me një deklaratë shtesë mbi këtë situatë më vonë gjatë ditës së enjte.

“Presidenti nuk ishte i lumtur me këtë lajm, por nuk ishte as i befasuar. Këto janë dy vende që kanë qenë në luftë për një kohë shumë të gjatë,” tha Leavitt. Ajo shtoi se sulmet ruse kanë qenë vdekjeprurëse, ndërkohë që edhe goditjet ukrainase gjatë gushtit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme mbi rafineritë e naftës ruse.

Trump, sipas Leavitt, mbetet i vendosur që lufta të marrë fund, megjithatë ai është i vetëdijshëm se “ndoshta asnjëra palë nuk është ende e gatshme ta përfundojë vetë konfliktin.”

Ky reagim vjen gati dy javë pas takimit të Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë, ku ai mori përsipër të ndërmjetësonte një armëpushim. Megjithatë, deri më tani përparimi ka qenë i vogël dhe lufta vazhdon me intensitet të lartë.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, ka njoftuar se do të takohet me përfaqësues të Ukrainës këtë të premte në Nju Jork, në përpjekje për të ringjallur diskutimet mbi një ndalim të përkohshëm të luftimeve.

Lini një Përgjigje