TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Gusht 2025, 20:23

Skandali në Itali/ Mbyllet faqja seksiste që shpërndante foto të femrave VIP, mes tyre edhe të Giorgia Melonit

Shkruar nga Pamfleti

Skandali në Itali/ Mbyllet faqja seksiste që shpërndante foto

Në Itali ka shpërthyer një skandal i madh pas mbylljes së faqes online “Phica.eu”, ku qarkullonin foto private të grave të shoqëruara me komente seksiste dhe fyese. Platforma, e cila pretendonte se ishte krijuar si hapësirë për “diskutim dhe ndarje personale”, u kthye në një forum abuzimi ku u publikuan edhe imazhe të politikaneve, aktoreve, influencereve dhe madje edhe të kryeministres Giorgia Meloni.

Sipas raportimeve, shumë gra nga e gjithë Italia kanë paraqitur denoncime pranë policisë postale pasi zbuluan se fotot e tyre ishin vjedhur dhe ishin shpërndarë jo vetëm te Phica.eu, por edhe në një tjetër faqe të ngjashme të quajtur “Mia Moglie”. Policia ka hapur hetime për të zbuluar se kush qëndron pas menaxhimit të këtyre portaleve dhe se si janë marrë imazhet, ndërsa po përpiqet të identifikojë edhe autorët e komenteve seksiste.

Administratorët e faqes, në një deklaratë publike, thanë se nuk kishin arritur të frenonin “sjelljet toksike” të përdoruesve dhe vendosën ta mbyllnin platformën, duke marrë distancë nga akuzat për promovim të përmbajtjeve denigruese. Ata pretenduan se “gjithmonë kanë ndaluar e raportuar” materiale të paligjshme dhe se kanë bashkëpunuar me autoritetet për më shumë se 20 vite. Megjithatë, për shumëkënd, mbyllja e faqes shihet si një pranim i dështimit për të ndalur abuzimet dhe si një tjetër shembull i rrezikut që paraqet interneti për privatësinë dhe sigurinë e grave.

Lini një Përgjigje