TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Gusht 2025, 18:38

Avionët rusë fluturojnë pranë territorit të NATO, Italia ngre në ajër F-35

Shkruar nga Pamfleti

Avionët rusë fluturojnë pranë territorit të NATO,

Italia është detyruar sot të ngrejë në ajër avionët e saj luftarakë F-35 për të interceptuar një avion rus në hapësirën ajrore të Balltikut. Lajmin e konfirmoi komanda ajrore e NATO-s, e cila bëri të ditur se avionët italianë u ngritën nga një bazë në Estoni pas identifikimit të një fluturimi të dyshimtë rus pranë kufijve të aleancës. Ky është rasti i tretë brenda më pak se dy javësh që NATO detyrohet të dërgojë avionë për të ndaluar manovrat ruse në rajon. Vetëm një ditë më parë, dy Eurofighter gjermanë u ngritën për të penguar një avion zbulues rus mbi Detin Baltik.

Burime të NATO-s shprehen se këto incidente nuk janë të rastësishme. Moska dyshohet se po përdor avionët e saj të zbulimit për të mbledhur informacione mbi aktivitetet ushtarake të Aleancës në bregdetin e Balltikut, duke përfshirë lëvizjet dhe stërvitjet në Poloni, Gjermani, Danimarkë dhe Suedi. Ky rajon është bërë një nga pikat më të ndjeshme të tensioneve të reja mes Perëndimit dhe Rusisë, sidomos pas hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO, çka e ka zgjeruar kufirin e drejtpërdrejtë të Aleancës me Federatën Ruse.

Për Italinë, ky është një test i rëndësishëm i angazhimit të saj në mbrojtjen kolektive të NATO-s. F-35-at italianë, të vendosur në Estoni, janë pjesë e misionit të përforcuar të policimit ajror që Aleanca ka vendosur pas agresionit rus në Ukrainë. Manovrat e përsëritura të avionëve rusë pranë hapësirës ajrore të NATO-s interpretohen si prova force nga ana e Moskës, por gjithashtu edhe si një përpjekje për të matur gatishmërinë e aleatëve.

Lini një Përgjigje