TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Gusht 2025, 16:08

Këshilltari i Ramës nuk i zgjidh dot hallet e Gazës, ka shumë mëkate mbi supe!

Shkruar nga Pamfleti
Këshilltari i Ramës nuk i zgjidh dot hallet e Gazës, ka
Tony Blair

Gazeta britanike “The Telegraph” ka ‘nxirë Tony Blair. Ish-kryeministri ishte dje në një mbledhje në Shtëpinë e Bardhë, mbi planin për të ardhmen e Gazës. Sipas mediave, ai duket se është pjesë e planit të biznesit të Jared Kushner për të ndërtuar resorte te banesat që janë të rrafshuara sot. Blair njihet dhe si këshilltar i kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Pamja mund të dukej si një skenë që të 'prek shpirtin'. Në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, rreth 10 mijë kilometra larg rrënojave dhe mjerimit të Gazës, Donald Trump mblodhi këshilltarët për të diskutuar “të ardhmen” e territorit të shkatërruar. Dhe kush ishte i pranishëm? Tony Blair. (Këshilltar i Edi Ramës).

Ish-kryeministri britanik, i njohur për rolin e tij në katastrofat e Lindjes së Mesme, duket se e ka kthyer ndërhyrjen në territore të traumatizuara në një profesion. Dhe ndonëse të thuash se populli i Gazës ka vuajtur mjaftueshëm përpara se të rikthehej Blair me “ndërhyrjet e tij mirëdashëse”, do ishte thjesht ironik, ajo që pason është më e rëndë.

Blair, gjatë detyrës si i dërguar i Kuaritetit për Lindjen e Mesme (2007–2015), ishte dëshmitar i jo një, por tre luftrave të mëdha në Gaza. Një rekord i errët për dikë që supozohej të ndalte konfliktin.

Por nëse ndalemi tek kjo, do të humbnim thelbin. Sepse problemi nuk është Tony Blair, as ndonjë plan i munguar paqeje. Iluzioni i madh është të mendosh se ekziston një “i dërguar ideal” ose një “plan perfekt” që mund të zgjidhë Gazën.

E vërteta është shumë më e zymtë: çështja e Gazës ndoshta ka kaluar pikën pa kthim, dhe ajo që vjen më pas mund të jetë vetëm një konflikt i përhershëm, pa zgjidhje, pa fund. Ta thuash këtë nuk është as konstruktive, as optimiste, por është e nevojshme.

Ndërkohë që Trump dhe Blair diskutonin në Washington, realiteti në terren ndryshonte me shpejtësi. Forcat izraelite po rrethojnë qytetin e Gazës, me objektiv të qartë: marrjen nën kontroll të të gjithë zonës urbane dhe shpërnguljen e afro një milion palestinezëve nga shtëpitë e tyre.

Askush nuk e di se si do të përfundojë kjo luftë, më e gjata dhe më e përgjakshme në historinë e konfliktit arabo-izraelit që nga viti 1948. Por diçka është e sigurt: në fund do të mbeten rreth dy milionë palestinezë, të traumatizuar, të varfëruar, në tenda apo mbi rrënoja.

Po, do gjendet një mënyrë për të futur ndihma humanitare. Do gjendet ndonjë formulë që të krijohet një administratë e re, jo-Hamas, për të menaxhuar ato pak zona që do mbeten të banuara. Por kjo nuk do të jetë zgjidhje. Do të jetë një fashë e përkohshme mbi një plagë që nuk shërohet më.

Administrata Trump, sipas burimeve të Axios, ka vetëm një qëllim: menaxhimin e pasojave, jo parandalimin e konfliktit. Një zyrtar amerikan përmendi “zgjerimin e planit ushqimor, rritjen e sasisë dhe shpërndarjes së ndihmave”. Steve Witkoff, i dërguari personal i presidentit, foli për një “plan gjithëpërfshirës”, por sqaroi se ai do të mbulonte vetëm “ditën pas lufte”.

Pra, SHBA nuk po ofron paqe, por një fashë pas-lufte. Dhe kur ajo fashë të bjerë, siç ndodh gjithmonë, dhuna do të rikthehet.

Ndaj harroni Tony Blair-in. Ajo që duhet të na rëndojë në zemër është e vërteta e hidhur: ky konflikt është bërë i pazgjidhshëm, pavarësisht se kush përpiqet ta “rregullojë”. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Telegraph”

*Titulli redaksional! Titulli origjinal: ‘Tony Blair nuk mund ta zgjidhë tragjedinë e Gazës. Askush nuk mundet’

Lini një Përgjigje