Donald Trump paralajmëron se forcat amerikane do të qëndrojnë rreth Iranit deri në zbatimin e plotë të marrëveshjes që ai e cilëson si “të vërtetë”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se forcat amerikane do të mbeten të dislokuara brenda dhe rreth Iranit derisa të zbatohet plotësisht ajo që ai e quan “marrëveshja e vërtetë”.
Në një postim në platformën Truth Social, ai kërcënoi me sulme më të forta ndaj Iranit nëse kjo marrëveshje nuk respektohet, vetëm dy ditë pas arritjes së një armëpushimi të brishtë.
“Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan, të pajisur me municione shtesë, armë dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për ndjekjen dhe shkatërrimin vdekjeprurës të një armiku tashmë të dobësuar ndjeshëm, do të qëndrojnë në pozicionet e tyre brenda dhe rreth Iranit, derisa të zbatohet plotësisht marrëveshja e vërtetë që është arritur.
Nëse, për çfarëdo arsye, ajo nuk respektohet, gjë që është jashtëzakonisht e pamundur, atëherë sulmet do të rifillojnë, më të mëdha, më të mira dhe më të fuqishme se kurrë më parë. Kjo është rënë dakord shumë kohë më parë, pavarësisht retorikës së rreme për të kundërtën, asnjë armë bërthamore dhe Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur dhe e sigurt.
Ndërkohë, ushtria jonë e madhe po pajiset dhe po pushon, ndërsa në fakt pret me padurim pushtimin e saj të radhës. Amerika është kthyer!”
Çfarë nënkupton Trump me “marrëveshjen e vërtetë”?
Raportimet mbi armëpushimin dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit janë kontradiktore. Mospajtimet përqendrohen kryesisht në versionet e ndryshme të një plani me 10 pika që pritet të shënojë përfundimin e konfliktit.
Trump deklaron se ekziston vetëm një grup “pikash thelbësore” të pranueshme për SHBA-në. Ai e ka bërë të qartë se çfarë kërkon në kuadër të kësaj “marrëveshjeje të vërtetë”: “asnjë armë bërthamore dhe Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur dhe e sigurt”.
Nga ana iraniane janë paraqitur disa versione. Mediat shtetërore iraniane publikuan një variant që përfshin ndalimin e armiqësive në Iran, Irak, Jemen dhe Liban, hapjen e Hormuzit dhe angazhimin e plotë për heqjen e sanksioneve amerikane.
Më vonë u shfaq edhe një plan me 10 pika i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, ku u shtuan çështje si pasurimi i uraniumit dhe ruajtja e kontrollit të Teheranit mbi Ngushticën e Hormuzit. Kërkesat për pasurimin e uraniumit më pas u hoqën nga përkthimi në anglisht i deklaratës.
Në postimin e Trump nuk u përmend armëpushimi që përfshin Libanin, një element që mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes lidhur me kushtet e marrëveshjes së armëpushimit.
Lini një Përgjigje