
ECAMS do t’u ofrojë shteteve anëtare mbështetje operacionale, teknike dhe forenzike për çmontimin e rrjeteve kriminale, njofton agjencia policore e BE-së
Europol ka themeluar një Qendër të re të specializuar kundër kontrabandës së migrantëve (ECAMS), me qëllim që përmes hetimeve financiare dhe analizës së të dhënave dhe inteligjencës të mundësojë shkatërrimin e plotë të rrjeteve të kontrabandës dhe infrastrukturës së tyre logjistike.
Sipas njoftimit të agjencisë policore të Bashkimit Evropian, ECAMS do t’u ofrojë shteteve anëtare mbështetje konkrete operacionale, teknike dhe forenzike në luftën kundër këtyre rrjeteve kriminale.
Qendra do të përqendrojë aktivitetin e saj kryesisht në menaxhimin e bazave të të dhënave, përdorimin e inteligjencës nga burime të hapura, analizën operacionale si dhe në veprime strategjike dhe operacionale në terren.
“Duke kombinuar të dhënat nga shtetet anëtare dhe partnerët, si dhe duke përdorur mjete të avancuara analitike, ECAMS do t’u mundësojë hetuesve të hartojnë rrjetet kriminale, të identifikojnë bashkëpunëtorët dhe të përcaktojnë objektivat me rrezik më të lartë”, thuhet në deklaratë.
Europol thekson se aktivitetet e kontrabandistëve të migrantëve shtrihen përtej kufijve kontinentalë dhe janë gjithnjë e më të pranishme në internet, ku rekrutojnë bashkëpunëtorë, promovojnë shërbimet e tyre kriminale dhe joshin migrantët drejt udhëtimeve të rrezikshme për jetën, që shpesh kushtojnë mijëra euro.
Drejtoresha e Europol-it, Katrin de Bole, deklaroi se rrjetet e kontrabandës po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe mbështeten në struktura financiare shumë-shtresore, përfshirë edhe “sisteme bankare nëntokësore që përdoren për të lëvizur dhe fshehur fitimet kriminale”.
Sipas të dhënave të Europol-it, kontrabandistët mund të kërkojnë deri në 20 mijë euro për të transportuar një person nga vendi i origjinës në një shtet të tretë. Për shembull, migrantët paguajnë deri në 15 mijë euro për t’u kontrabanduar nga Irani drejt Gjermanisë, Holandës ose Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa rreth 13 mijë euro kushton transporti përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor drejt Gjermanisë.
Europol thekson se qasja e re forcon fokusin në hetimet financiare, ngrirjen dhe konfiskimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe çmontimin e modeleve të biznesit që qëndrojnë pas kontrabandës së migrantëve, duke e bërë më të vështirë veprimin dhe zgjerimin e këtyre rrjeteve.
Në të njëjtën kohë, në përputhje me përpjekjet e BE-së për të adresuar natyrën ndërkufitare të këtij krimi, ECAMS do të forcojë koordinimin me shtetet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim ndjekjen e koordinuar të rrjeteve kriminale përgjatë rrugëve të kontrabandës.
Lini një Përgjigje