Mohammad Bagher Ghalibaf konsiderohet një nga politikanët më me ndikim në Iran dhe ka lidhje të ngushta me Gardën Revolucionare; emri i tij lidhet me korrupsion dhe shtypje protestash
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se po zhvillohen bisedime me Iranin dhe se ekziston shpresë për një marrëveshje të mundshme për përfundimin e konfliktit. Megjithatë, sipas portalit amerikan Axios, Egjipti, Pakistani dhe Turqia kanë ndërmjetësuar të dielën mes SHBA-së dhe Iranit, duke u përpjekur të organizojnë për të hënën një bisedë telefonike me kryetarin e parlamentit iranian, Ghalibaf, dhe ekipin e tij.
Nga ana tjetër, autoritetet në Teheran mohuan se ka pasur ndonjë bisedim. Ghalibaf i cilësoi këto si “lajme të rreme”, duke thënë se synojnë manipulimin e tregjeve financiare dhe të naftës, si dhe fitimin e kohës.
Sipas The Wall Street Journal, këtë të premte mijëra marinsa amerikanë do të dërgohen në Lindjen e Mesme për të siguruar kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Nga Garda Revolucionare te një politikan i fuqishëm
Mohammad Bagher Ghalibaf (64) është ish-pilot dhe ish-komandant i Gardës Revolucionare. Ai ka doktoruar në gjeografi politike, ku në disertacion është marrë me marrëdhënien mes hapësirës, pushtetit, shtetit dhe politikës së sigurisë.
Si ushtar i ri, Ghalibaf mori pjesë në Luftën Iran–Irak nga viti 1980 deri në vitin 1988 dhe ndërtoi karrierën në Gardën Revolucionare. Pas luftës, ai u bë drejtues i shtabit ndërtimor “Khatam al-Anbiya”. Ky institucion kishte për qëllim rindërtimin e vendit nën kontrollin e Gardës Revolucionare dhe vazhdon të funksionojë si krahu i saj ekonomik, me qindra degë dhe nënkontraktorë.
Në vitin 1997, ajatollah Khamenei e emëroi Ghalibafin komandant të forcave ajrore të Gardës Revolucionare. Së bashku me komandantë të tjerë, ai luajti rol vendimtar gjatë protestave studentore të vitit 1999 dhe, bashkë me Qasem Soleimanin, nënshkroi një letër paralajmëruese drejtuar presidentit të atëhershëm Mohammad Khatami, duke paralajmëruar se qeveria nuk do të “toleronte më protestat”.
Ghalibaf ka deklaruar më vonë në intervista se edhe vetë ka goditur protestues me shkop gome ndërsa lëvizte me motor nëpër rrugë. Një vit më pas, ai u emërua shef i policisë në vend.
Ai kishte ambicie të mëdha politike dhe kandidoi tri herë për president të Iranit. Në vitin 2005 humbi ndaj Mahmoud Ahmadinejadit, atëherë kryebashkiak i Teheranit. Më pas, Ghalibaf mori drejtimin e kryeqytetit dhe shërbeu si kryebashkiak nga viti 2005 deri në vitin 2017.
Në vitin 2013 kandidoi sërish dhe humbi ndaj Hassan Rouhanit, ndërsa në vitin 2017 u tërhoq për të mbështetur një kandidat tjetër konservator.
Akuza për korrupsion dhe polemika
Gjatë mandatit të tij në Teheran, sipas gazetarëve iranianë, shumë prona shtetërore janë shitur dukshëm nën vlerën e tregut, në disa raste deri në 50 për qind më lirë. Mes blerësve thuhet se kanë qenë edhe zyrtarë shtetërorë dhe anëtarë të familjes së Ghalibafit.
Po ashtu, pretendohet se ai ka transferuar shuma të konsiderueshme nga buxheti i qytetit në fondacionin e bashkëshortes së tij, i cili thuhet se ndihmon nënat e vetme dhe gratë që mbajnë familjet e tyre. Megjithatë, funksionimi i këtij fondacioni nuk është transparent. Akuzat për korrupsion nuk janë sqaruar plotësisht për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me ajatollah Khamenein, ndërsa gazetarët që raportuan për këtë çështje janë dënuar me burg.
Nga kërkesa për leje qëndrimi te pajisjet për bebe
Në vitet e fundit, edhe çështje nga jeta familjare e Ghalibafit kanë tërhequr vëmendjen e mediave. Djali i tij, Eshak, u përpoq të merrte leje qëndrimi të përhershme në Kanada. Që nga viti 2019 ai kërkoi miratimin e autoriteteve kanadeze të imigracionit dhe madje i paditi ato për vonesa në gjykatën federale. Vetë fakti që ai kërkonte një vizë qëndrimi nxiti debat në Iran, pasi u konsiderua në kundërshtim me qëndrimet anti-perëndimore të të atit. Në fund, kërkesa e tij u refuzua.
Ndërkohë, edhe udhëtimi i vajzës së tij dhe familjes së saj në Turqi shkaktoi reagime. Në vitin 2022 u publikuan fotografi që tregonin kthimin e tyre nga Stambolli në Teheran me shumë produkte për bebe, të cilat mediat i quajtën “pajisje fillestare për foshnja”. Ky rast u kritikua gjerësisht në një vend që përballet me krizë ekonomike dhe inflacion të lartë për shkak të sanksioneve dhe menaxhimit të dobët.
Ghalibaf konsiderohet një politikan me ndikim të madh brenda Gardës Revolucionare. Fakti që, ndryshe nga disa zyrtarë të tjerë, ai nuk ka qenë objekt i sulmeve amerikane apo izraelite ka nxitur spekulime në Iran. Mbetet për t’u parë nëse Mohammad Bagher Ghalibaf do të marrë një rol edhe më të rëndësishëm politik në të ardhmen. /Përshtatur nga Vijesti/
Lini një Përgjigje