Spanja është e vendosur në kundërshtimin e saj ndaj SHBA-së dhe Izraelit gjatë gjithë konfliktit, duke mohuar përdorimin nga SHBA-ja të bazës së saj detare Rota dhe bazës ajrore Morón, të dyja të vendosura në Andaluzi.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka kritikuar veprimet e vazhdueshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit.
Gjatë një fjalimi para Kongresit Spanjoll, ai i ka përshkruar sulmet si pjesë të një "lufte të padrejtë dhe të paligjshme".
Kundërshtar i zëshëm i luftës prej kohësh, Sanchez tha se SHBA-të dhe Izraeli kanë "minuar ligjin ndërkombëtar, kanë destabilizuar Lindjen e Mesme dhe kanë rindezur konfliktet në Irak dhe Liban".
Udhëheqësi spanjoll argumentoi më tej se SHBA-të dhe Izraeli "sjellën pasiguri në vendet e Gjirit", të cilat ai tha se u bënë të prekshme shpejt për shkak të zgjedhjeve të bëra nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Sanchez akuzoi gjithashtu SHBA-të dhe Izraelin për forcimin e pozicionit të Presidentit rus Vladimir Putin në pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës, duke shpjeguar se Rusia po përfiton financiarisht "falë rritjes së çmimeve të karburantit dhe heqjes së sanksioneve të sjella gjithashtu nga administrata amerikane".
Spanja është e vendosur në kundërshtimin e saj ndaj SHBA-së dhe Izraelit gjatë gjithë konfliktit, duke mohuar përdorimin nga SHBA-ja të bazës së saj detare Rota dhe bazës ajrore Morón, të dyja të vendosura në Andaluzi, dhe duke e shtyrë Trumpin të deklarojë se Spanja "nuk ka lidership të shkëlqyer" dhe të kërkojë që SHBA-të "të ndërpresin të gjithë tregtinë me Spanjën".
Por kritikat e Trumpit nuk kanë bërë shumë për ta dekurajuar Sanchezin nga parimi i tij.
"Të jesh aleat ose mik do të thotë besnikëri ndaj parimeve që ndajmë. Do të thotë të kesh guximin të qëndrosh i vendosur kur rruga është e gabuar.", u tha Sanchez ligjvënësve spanjollë në fjalën e tij, raporton CNN.
Përplasjet SHBA-Iran
Në javën e katërt të konfliktit që ka përfshirë disa shtete, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur hapin e parë drejt një zgjidhjeje të negociuar. Sipas zyrtarëve të lartë të cituar nga mediat ndërkombëtare, administrata Trump i ka dorëzuar Teheranit një plan prej 15 pikash që synon dhënien fund të luftës.
Plani, i cili mbetet konfidencial në detajet teknike, fokusohet në tre shtylla kryesore.
Uashingtoni kërkon garanci dhe ndalimin e pasurimit të uraniumit, pas sulmeve të shkurtit që shënjestruan impiantet e prodhimit të raketave balistike iraniane.
Propozimi adreson zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit. Bllokada aktuale ka paralizuar furnizimin me naftë dhe gaz, duke çuar çmimet në nivele rekord në bursat botërore.
Plani synon krijimin e një kornize ku Irani të mos përbëjë më kërcënim për fqinjët arabë dhe Izraelin.
Figura kyçe e këtij procesi ka dalë Shefi i Ushtrisë pakistaneze, Field Marshal Syed Asim Munir. I vlerësuar nga Presidenti Trump si një ndërmjetës i besueshëm, Munir po shërben si urë lidhëse mes Shtëpisë së Bardhë dhe lidershipit iranian. Pakistani është ofruar zyrtarisht të jetë mikpritës i bisedimeve direkte mes palëve.
Mbetet e paqartë nëse Izraeli është plotësisht dakord me këtë plan, ndërkohë që Tel Avivi ka paralajmëruar se operacionet mund të zgjasin edhe për disa javë të tjera.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi se negociatat vijojnë, por theksoi se operacioni “Tërbimi epik” do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave ushtarake të Pentagonit. Nga ana tjetër, një zëdhënës ushtarak iranian ka deklaruar se SHBA-të po negociojnë me veten, ndërsa shtoi se nuk do të bien kurrë dakord me administratën e Trump.
Teherani ka hedhur poshtë deklaratën e Trump se ka nisur negociatat.
Lini një Përgjigje