Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi, konsiderohet nga autoritetet shqiptare dhe italiane si një nga figurat kyçe të trafikut ndërkombëtar të kokainës, i dyshuar për drejtimin e rrjeteve kriminale që transportonin drogë nga Amerika e Jugut drejt Europës dhe aktualisht i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Eldi Dizdari, i njohur edhe me identitetin Denis Matoshi, konsiderohet një nga eksponentët më të kërkuar të drejtësisë shqiptare dhe italiane për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.
I shpallur në kërkim ndërkombëtar, Dizdari është identifikuar nga autoritetet italiane si një nga drejtuesit e grupit kriminal shqiptar të njohur si “Kompania Bello”, një organizatë transnacionale e përfshirë në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës. Sipas hetimeve italiane, aktiviteti i grupit kap vlerën e rreth 350 milionë eurove.
Emri i tij është përmendur shpesh në dosjet e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, ku shfaqet edhe emri i Dritan Gjikës, një tjetër personazh i njohur për autoritetet ligjzbatuese në hetimet për rrjetet e trafikut të kokainës që operojnë mes Amerikës Latine dhe vendeve europiane.
Në vitin 2020, Dizdari u arrestua në kuadër të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga drejtësia italiane gjatë operacionit kundër grupit “Los Blancos”, i akuzuar për trafikimin e kokainës nga Ekuadori drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Më pas ai u lirua, ndërsa procedurat hetimore vijuan.
Së fundmi, SPAK ka lëshuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, duke e konsideruar një nga figurat kryesore të grupit kriminal të goditur në operacionin e fundit kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Sipas dyshimeve të autoriteteve, Eldi Dizdari aktualisht fshihet në Dubai, ndërsa vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 10 shqiptarët, të identifikuar si: Nikoll Bibaj; Isa Aliu; Sokol Bibaj; Florjan Musaj; Armando Pacani; Denis Matoshi; Naldi Yzeiraj; Oklid Aliu; Dritan Gjika dhe Shpëtim Aliu.
Hetimet kanë zbuluar se grupi ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë, duke trafikuar sasi të mëdha kokaine drejt vendeve europiane. Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se rrjeti kriminal ka trafikuar të paktën 50 ton kokainë gjatë aktivitetit të tij.
SPAK ka zbardhur 5 episode të trafikut të drogës, ndërsa paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal grupi i pastronte në në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.
Në total janë sekuestruar 8 ton e 960 kilogramë kokainë në Belgjikë, Ekuador, Holandë dhe Kolumbi. Ngarkesat kishin si destinacion vende të ndryshme të Bashkimit Europian, përfshirë Holandën dhe Francën.
Gjykata ka vendosur sekuestro preventive mbi 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë 266 prona në disa qytete të vendit, dhjetëra automjete dhe mjete lundruese, si dhe 209 llogari bankare. Vetëm në kompleksin turistik në Gjirin e Lalzit janë sekuestruar 121 pasuri, mes tyre vila, apartamente, njësi shërbimi dhe vende parkimi. Nën sekuestro janë vendosur gjithashtu hotele, godina banimi dhe pasuri të tjera në Tiranë, Durrës, Himarë, Sarandë, Elbasan dhe zona të tjera të vendit.
Sipas SPAK, vlera paraprake e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 150 milionë euro, ndërsa verifikimet për përcaktimin e vlerës së saktë vijojnë. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve europiane dhe të Amerikës Latine.
Lini një Përgjigje