Thorbjorn Jagland në gjendje të rëndë...
Ish-kryeministri i Norvegjisë dhe ish-kryetari i Komitetit Norvegjez të Çmimit Nobel për Paqen, Thorbjorn Jagland, ndodhet në spital pas një tentative për vetëvrasje. Lajmin e kanë konfirmuar mediat norvegjeze, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për gjendjen e tij shëndetësore.
Kjo ngjarje vjen në një moment kur policia norvegjeze po heton Jaglandin nën dyshimin për korrupsion, në lidhje me marrëdhëniet e tij të mëparshme me financierin amerikan Jeffrey Epstein. Ky i fundit u arrestua në vitin 2019 nën akuza për trafikim dhe shfrytëzim seksual të të miturve dhe u gjet i vdekur në qelinë e tij në Nju Jork, në atë që autoritetet amerikane e klasifikuan si vetëvrasje.
Sipas gazetës norvegjeze Verdens Gang (VG), e cila i referohet dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Jagland dyshohet se i ka kërkuar Epsteinit të ndihmonte në garantimin e blerjes së një apartamenti. Dokumentet nuk sqarojnë nëse kjo kërkesë është realizuar. Të njëjtat burime raportojnë se Jagland ka vizituar rezidencën e Epstein në Nju Jork në vitin 2018, si dhe apartamentin e tij në Paris në vitet 2015 dhe 2018. Po ashtu, përmendet se ai dhe familja e tij kishin planifikuar një udhëtim në ishullin privat të Epstein në vitin 2014, por vizita nuk u zhvillua.
BREAKING:
— Visegrád 24 (@visegrad24) February 24, 2026
Norway’s former Prime Minister and ex-chairman of the Norwegian Nobel Committee Thorbjørn Jagland has reportedly been hospitalized after a suicide attempt.
The Norwegian police recently launched an investigation against him in connection with the Epstein Files. pic.twitter.com/SgaBhdmWgq
Në dokumentet e bëra publike në SHBA përmenden edhe komunikime që lidhen me një vizitë në Tiranë. Sipas këtyre materialeve, pas një qëndrimi në Shqipëri në vitin 2012, në kohën kur vendi mbante kryesimin e radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Epstein i ka dërguar një email ku përmendte përshtypjet nga vizita. Në një prej komunikimeve përmenden “vajzat e jashtëzakonshme të Tiranës”, referencë që del nga arkiva e mesazheve të sekuestruara nga autoritetet amerikane.
Thorbjorn Jagland, 75 vjeç, ka qenë Kryeministër i Norvegjisë në vitet 1996–1997. Ai drejtoi Komitetin Norvegjez të Çmimit Nobel për Paqen nga viti 2009 deri në vitin 2015 dhe shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019.
Instituti Norvegjez i Nobelit i ka kërkuar Jaglandit një shpjegim zyrtar për çdo përfitim financiar të mundshëm gjatë periudhës kur ai drejtonte Komitetin e Çmimit Nobel për Paqen. Drejtori i institutit, Kristian Berg Harpviken, ka deklaruar se çdo transaksion i konsiderueshëm financiar i padeklaruar do të përbënte shkelje të rregullave etike të institucionit.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka bërë të ditur se do t’i kërkojë Këshillit të Evropës heqjen e imunitetit diplomatik të Jaglandit, që ai gëzon si ish-Sekretar i Përgjithshëm i organizatës, për të lehtësuar procedurat hetimore.
Lini një Përgjigje