TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Shkurt 2026, 14:38

Irani, Sarajeva e shekullit XXI: A mund ta zhysë sulmi amerikan botën në Luftën e Tretë?

Shkruar nga Harlan Ullman
Irani, Sarajeva e shekullit XXI: A mund ta zhysë sulmi amerikan botën
Arkiduka Franz Ferdinand, trashëgimtar i fronit austro-hungarez, dhe gruaja e tij Sophie /

Ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme po arrijnë kulmin, analogjitë historike me vitin 1914, paralajmërojnë se një shkëndijë e vetme mund të shkatërrojë rendin global dhe të ndezë një konflikt të përmasave botërore....

Ndërsa dy grupe sulmi të ushtrisë amerikane po grumbullohen në Detin Arabik, gjasat për një konflikt të armatosur me Iranin janë shumë të larta, edhe pse mund të duhet një javë para se grupi i sulmit “USS Gerald Ford” të mbërrijë në pozicionin e duhur. Në fakt, vështirë se mund të gjendet një rast më teatral për të njoftuar ose kërcënuar me veprime ushtarake kundër mullahëve sesa fjalimi i sotëm i Presidentit Trump për “Gjendjen e Kombit”, përveçse nëse iranianët bien dakord të heqin dorë nga armët bërthamore dhe të ndalojnë vrasjen dhe burgosjen e qytetarëve të tyre.

Fatkeqësisht, po shfaqen edhe rrethana të tjera që ngrenë paralele historike shqetësuese. I referohem konkretisht 28 qershorit të vitit 1914, kur Arkiduka Franz Ferdinand dhe gruaja e tij shtatzënë, Sophie, u qëlluan dhe u vranë në një urë në Sarajevë nga 19-vjeçari Gavrilo Princip.

Kjo vrasje shkaktoi një seri mobilizimesh midis fuqive të mëdha evropiane, bazuar në premisat e gabuara dhe të vjetruara se “kushdo që mobilizohet i pari, fiton” dhe se Gjermania mund ta mposhtte lehtësisht dhe shpejt Francën duke përdorur hekurudhat për mobilizim.

Më shumë se 110 vjet më vonë, nuk është mobilizimi ai që po na çon drejt katastrofës, por një sërë krizash që mund të ndizen në një zjarr të madh nga një shkëndijë e vetme, apo edhe nga një thëngjill që digjet në heshtje.

Shihni se çfarë po ndodh me rendin e sigurisë ndërkombëtare. Ndërsa administrata Trump po e përqendron vëmendjen e saj në Hemisferën Perëndimore, mbrojtjen e vendit dhe mbajtjen e Kinës brenda zinxhirit të parë të ishujve në Paqësor, interesi i SHBA-së në Evropë po zbehet.

Dhe kjo po ndodh pavarësisht deklaratave të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, për sigurimin e aleatëve në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Për më tepër, bankieri i Vladimir Putinit, ish-drejtues i “Goldman Sachs”, i arsimuar në Harvard dhe Stanford, Kirill Dmitriev, është negociatori kryesor rus për përfundimin e luftës në Ukrainë, së bashku me biznesmenin amerikan të pasurive të paluajtshme, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trump-it, Jared Kushner.

Duke pasur parasysh këto lidhje, marrëveshjet e mundshme ekonomike dhe tregtare mund të bëhen baza për një zgjidhje politike. Ndërkohë, Evropa është gjithnjë e më e fiksuar pas një Rusie në ringjallje e sipër dhe mundësisë që Putini të lëvizë ushtarakisht drejt Perëndimit brenda 5 vjetësh, ose ndoshta edhe më shpejt.

Ky kërcënim përforcohet nga përdorimi më agresiv i “masave aktive” të Rusisë, përveç konfliktit të hapur, për të dobësuar NATO-n dhe aleancat evropiane. Këto përfshijnë shkeljen e kufijve ajrorë, përdorimin e dezinformimit, propagandën, spiunazhin dhe dëmtimin e kabllove nënujore të komunikimit.

Moska ka deklaruar se, pavarësisht çdo çekuilibri ushtarak konvencional, ajo ka një epërsi numerike dërrmuese në armët bërthamore me rreze të shkurtër veprimi.

Polonia ka folur tashmë për zhvillimin e forcës së saj bërthamore parandaluese.

Shtete të tjera, si Suedia dhe Gjermania, zotërojnë njohuritë e nevojshme bërthamore. Ndërkohë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe Kryeministri britanik, Keir Starmer, kanë diskutuar krijimin e një force të përbashkët evropiane parandaluese. Evropa ka marrë tashmë përsipër barrën e furnizimit dhe mbështetjes së Ukrainës, duke lehtësuar SHBA-në në këtë drejtim.

Kina vazhdon ndërtimin e saj ushtarak, ndërsa “partneriteti i saj pa kufij” me Rusinë e forcon pozicionin e Putinit. Angazhimi i Koresë së Veriut në Ukrainë i jep asaj qasje në teknologjinë ruse të dronëve dhe nëndetëseve, si shpërblim për furnizimin me trupa dhe municione.

Edhe pse nuk lidhet drejtpërdrejt me skenarin e 28 qershorit, Bordi i Paqes i Donald Trump-it mund të anashkalojë Kombet e Bashkuara duke ofruar një vend alternativ për trajtimin e konflikteve.

Një organizatë e tillë rivale mund ta shkatërrojë legjitimitetin e OKB-së, duke ngritur pyetjen: A do të shihet si e ligjshme përfshirja e Trump-it në politikën e jashtme pasi ai të mos jetë më president?

Dhe kjo na rikthen te Irani dhe pyetja: “Po sikur?…”. Është e kuptueshme pse administrata Trump nuk ka sinjalizuar se çfarë do të arrinte një sulm, sa do të zgjaste angazhimi ushtarak dhe cilat do të ishin pasojat apo strategjia e daljes.

Një tjetër sulm i tipit “Midnight Hammer”, që zgjat rreth një ditë, nuk duket i mjaftueshëm për t’i detyruar mullahët të pranojnë kushtet e Uashingtonit. Megjithatë, nëse SHBA-të e sulmojnë Iranin, a do të jetë kjo Sarajeva e shekullit XXI dhe një prelud për një luftë më të gjerë?

Ne mundemi vetëm të shpresojmë që dikush në administratën e SHBA-së po i analizon me kujdes këto pyetje kritike./Pamfleti nga "The Hill"

irani si sarajeva

Lini një Përgjigje