Një valë spekulimesh ka pushtuar rrjetet sociale pas pretendimeve se e dashura e supozuar e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, ka informuar autoritetet për vendndodhjen e tij para operacionit ku ai humbi jetën.
Postime virale në platformën X dhe rrjete të tjera sociale përmendën emrin e Maria Julissa-s, një influencere dhe modele meksikane e njohur për përmbajtjen e saj në Instagram dhe në platformën OnlyFans. Sipas pretendimeve të shpërndara online, ajo ishte parë në shoqërinë e “El Mencho” vetëm pak orë para ndërhyrjes policore.
Fotografitë që qarkulluan në internet e paraqisnin një grua pranë një burri që i ngjante liderit të kartelit “Cartel Jalisco Nueva Generacion (CJNG)”, ndërsa në disa postime aludohej se ajo kishte njoftuar autoritetet për vendstrehimin e tij. Megjithatë, asnjë autoritet meksikan apo amerikan nuk ka konfirmuar identitetin e personit që dyshohet se ka dhënë informacion, duke iu referuar vetëm një “partnereje romantike anonime”.

Maria Julissa reagoi publikisht duke mohuar kategorikisht çdo lidhje me ngjarjen. Në një postim në Instagram, ajo i cilësoi pretendimet si tërësisht të pavërteta dhe u kërkoi ndjekësve të raportojnë faqet që, sipas saj, po shpërndajnë informacione të sajuara.
Ajo gjithashtu la të kuptohet se disa prej fotove dhe materialeve që qarkullojnë mund të jenë manipuluar në mënyrë digjitale ose të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale, për ta lidhur në mënyrë të rreme me çështjen.
Deri në një reagim zyrtar nga autoritetet, pretendimet mbeten në nivel spekulimesh të pakonfirmuara që kanë marrë përmasa të mëdha në rrjetet sociale.

Lini një Përgjigje