Presidenti amerikan Joe Biden në një fjalim në Tel Aviv të mërkurën dënoi humbjen e jetëve gjatë sulmeve të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi. Por gjithashtu paralajmëroi izraelitët që të bëjë kujdes me kundërpërgjigjen. Pasi, sipas tij, vendimet e kohës së luftës nuk janë kurrë të qarta apo të lehta.
"Unë e paralajmëroj këtë. Ndërsa ju e ndjeni atë inat, mos u konsumoni prej tij. Pas 11 shtatorit, ne u tërbuam në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa kërkuam drejtësi dhe morëm drejtësi, ne gjithashtu bëmë gabime. Ka gjithmonë kosto. Por kërkon të jesh i qëllimshëm. Kërkon të bësh pyetje shumë të vështira. Kërkon qartësi rreth objektivave dhe një vlerësim të sinqertë nëse rruga në të cilën po kaloni do t'i arrijë ato objektiva”, tha ai.
Biden theksoi gjithashtu se "shumica" e palestinezëve nuk janë me Hamasin dhe se nuk përfaqësohen prej tij.
"Shumica dërrmuese e palestinezëve nuk janë Hamas. Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez. Hamasi përdor të pafajshmit, familjet e pafajshme në Gaza si mburoja njerëzore, duke vendosur qendrat e tyre komanduese, armët dhe tunelet e komunikimit në zonat e banuara. Populli palestinez po vuan gjithashtu shumë", shtoi Biden.
Ai gjithashtu përmendi shpërthimin e së martës në spital në qytetin e Gazës, teksa tha se është i pikëlluar për jetët e humbura nga kjo tragjedi.
“Ne vajtojmë humbjen e jetëve të pafajshme palestineze si e gjithë bota. Shtetet e Bashkuara pa mëdyshje janë për mbrojtjen e jetës civile gjatë konfliktit. Dhe unë pikëlloj, me të vërtetë pikëlloj për familjet që u vranë ose u plagosën nga kjo tragjedi", deklaroi Biden.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së njoftoi se Izraeli ka rënë dakord që ndihma humanitare të kalojë në Gaza nga Egjipti.
“SHBA-ja qëndron pa mëdyshje për mbrojtjen e jetës civile gjatë konfliktit. Njerëzit e Gazës kanë nevojë për ushqim, ujë, ilaçe, strehim. Sot i kërkova kabinetit izraelit, me të cilin u takova për disa kohë këtë mëngjes, të binte dakord për dërgimin e ndihmës humanitare shpëtimtare për civilët në Gaza, bazuar në mirëkuptimin se do të ketë inspektime dhe se ndihma duhet të shkojë për civilët dhe jo për Hamasin. Izraeli ra dakord se ndihma humanitare mund të fillojë të lëvizë nga Egjipti në Gaza", përfundoi Biden.
Lini një Përgjigje