Në Greqi ka shpërthyer një skandal i rëndë spiunazhi. Një oficer i lartë i Forcave Ajrore greke u arrestua të enjten në mëngjes brenda repartit ku shërbente, nën dyshimet se kishte në zotërim dhe shpërndante informacione të klasifikuara, përfshirë plane të NATO-s me rëndësi strategjike.
Sipas autoriteteve ushtarake, 50-vjeçari dyshohet se vepronte për llogari të një shteti të tretë dhe u ndalua pak para se të dorëzonte një sasi të madhe materialesh sekrete në Kinë. Rasti konsiderohet me ndjeshmëri të lartë, për shkak të natyrës së informacionit dhe rolit që oficeri mbante në strukturat ushtarake.
I arrestuari shërbente në 128 Skuadriljen e Trajnimit të Telekomunikacioneve dhe Elektronikës të Forcave Ajrore, në zonën e Kavurit, një njësi që merret me sisteme dhe komunikime kritike. Për këtë arsye, ai kishte akses të drejtpërdrejtë në të dhëna konfidenciale.
Atij i është atribuar akuza e rëndë e “mbledhjes dhe transmetimit të informacioneve sekrete me rëndësi ushtarake te palë të treta”. Burime mediatike raportojnë se oficeri ishte vënë nën vëzhgim të ngushtë nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës greke (EYP), në bashkëpunim me struktura të specializuara të kundërzbulimit ushtarak, për të paktën një muaj.
Gjatë hetimeve, autoritetet konstatuan se i dyshuari përdorte aplikacionin e komunikimit të koduar Signal, duke fshirë rregullisht mesazhet për të shmangur gjurmimin dhe zbulimin e aktivitetit të tij.
Sipas të njëjtave burime, provat në ngarkim të oficerit konsiderohen shumë serioze dhe ai është shoqëruar për të dhënë dëshmi. Arrestimi u krye pas një operacioni të posaçëm, me pjesëmarrjen e një prokurori, agjentëve të EYP-së dhe oficerëve të specializuar në kundërzbulim.
Në njoftimin zyrtar, Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë konfirmoi arrestimin, duke theksuar se bëhet fjalë për vepra penale të parashikuara nga Kodi Penal Ushtarak, që lidhen me mbledhjen dhe transmetimin e informacioneve sekrete ushtarake, me rrezik të drejtpërdrejtë për interesat kombëtare.
Lini një Përgjigje