
Për të fshehur rënien e shpejtë të standardit të jetesës së shumicës së qytetarëve, për të mjegulluar shndërrimin e Serbisë në diçka që në mes të BE-së po fillon t’i ngjajë një “bunkeri krenar të Enver Hoxhës”, për të kamufluar përpjekjet për shtypjen me dhunë të lirive universitare, për të maskuar shembjen e sistemit të drejtësisë dhe të tjera, nuk mund të ndihmojnë më as përrallat e vjetra dhe as ato të ripunuara, të transmetuara gjatë gjithë ditës nga "baballarë politikë"...
Kam vënë re se studentët gjithmonë angazhoheshin me nxitje dhe kureshtje intelektuale sa herë që, me synimin për të treguar përgjithësinë dhe thelbin e ligjeve natyrore, përpiqesha ta vendosja edhe mjedisin shoqëror në kontekstin e ligjit të ruajtjes së masës dhe energjisë, si edhe të Ligjit të Parë dhe të Dytë të termodinamikës.
Në këto raste më dukej se të rinjve akademikë u bëhej shumë shpejt e qartë, sidomos nëse më parë ishin përballur me pamjet e planetit Tokë të realizuara nga kamerat e mjeteve ndërplanetare, se potencialet energjetike dhe materiale të “Nënës Tokë” janë të kufizuara dhe se disa nga “bijtë e saj” mund të kenë shumë vetëm nëse të tjerët kanë pak.
Për ta bëheshin po aq shpejt të dukshme edhe lojërat e përhershme gjeostrategjike, politike, ekonomiko-financiare, zhvillimore, mediatike dhe të tjera, me të cilat përballemi të gjithë çdo ditë.
Kur kalonim në diskutime mbi “realitetin e papërsosur”, e thënë në gjuhën inxhinierike, mbi fërkimin si kusht për ekzistencën e proceseve fizike, jetësore dhe shoqërore dhe si masë e cilësisë së tyre, zakonisht disa mendje të reja kureshtare, si konfirmim i njohurive të tyre “të reja”, shpreheshin me ndonjë maksimë të tipit: “po të mos kishte fërkim, as ne nuk do të ishim lindur”, duke shkaktuar entuziazëm dhe duartrokitje të përgjithshme. Pas kësaj, askush nuk mund t’i bindte më se janë të mundshme dhe të qëndrueshme marrëdhënie në të cilat fitohet më shumë sesa investohet.
Falë internetit dhe inteligjencës artificiale, brezi i studentëve tanë kritikë është përballur me të gjitha këto fakte që nga “ditët e foshnjërisë”, prandaj ata nuk mund të orientohen në shtigje politikane nga pjesëmarrësit e ashtuquajtur të “sofrave politike televizive”, të ashtuquajturit "baballarë politikë" televizivë, të cilët kalojnë ditët para kamerave të televizioneve të ashtuquajtura informativo-argëtuese duke tjerrë rrëfime për popullin, me të cilat përpiqen të mbulojnë realitetin tonë të zymtë dhe të bindin të gjithë, përfshirë edhe të rinjtë, se këtu gjoja lulëzojnë trëndafilat e demokracisë, se nuk ka vjedhje, korrupsion dhe grabitje, se nuk ka narkokartela kriminale nën mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe se mbajtësit e pushtetit nuk dinë më çfarë të bëjnë me buxhetet e tejmbushura republikane, qytetare dhe komunale.
Për të shpjeguar borxhin e jashtëzakonshëm të shtetit, për të theksuar të gjitha “veprat heroike” të pushtetit, të shpallura si më të mëdhatë në historinë e re, për të fshehur rënien e shpejtë të standardit të jetesës së shumicës së qytetarëve, për të mjegulluar shndërrimin e Serbisë në diçka që në mes të BE-së po fillon t’i ngjajë një “bunkeri krenar të Enver Hoxhës”, për të kamufluar përpjekjet për shtypjen me dhunë të lirive universitare, për të maskuar shembjen e sistemit të drejtësisë dhe të tjera, nuk mund të ndihmojnë më as përrallat e vjetra dhe as ato të ripunuara, të transmetuara gjatë gjithë ditës nga "baballarë politikë",vendas, që ngjajnë më tepër me ato “lejlekët që sjellin fëmijët”.
Studentët e dinë ligjin e ruajtjes së masës dhe energjisë dhe se gjithçka duhet të jetë në përputhje me Ligjin e Parë dhe të Dytë të termodinamikës, ashtu siç e dinë edhe faktin se çdo sistem termodinamik i mbyllur, përfshirë edhe shtetin, herët a vonë shndërrohet në një sistem të vdekur. Ata e dinë gjithashtu se në shoqëri duhet të ekzistojë “fërkimi”, por edhe se “fërkimi shoqëror” i tepruar, i prodhuar nga partokratët dhe polit-parët e tyre televizivë, mund të çojë në shpërbërjen e shtetit të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye studentët dhe të rinjtë tanë, së bashku me mbi gjashtëdhjetë për qind të qytetarëve, kërkojnë zgjedhje të menjëhershme dhe të ndershme, sepse vetëm zgjedhje të tilla mund të ndalin rrëshqitjen e mëtejshme të Serbisë./Përshtati “Pamfleti” nga “Danas”
Lini një Përgjigje