TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Prill 2026, 11:43

Shtohen zërat për shkarkimin e Trump: Kur mund të aktivizohet Amendamenti i 25-të?

Shkruar nga Miranda Jeyaretnam
Shtohen zërat për shkarkimin e Trump: Kur mund të aktivizohet
Presidenti Donald Trump /

Kërcënimi i fundit i presidentit për të shkatërruar urat dhe centralet elektrike në Iran e ka alarmuar Uashingtonin. Ligjvënësit demokratë po paralajmërojnë nisma konkrete për shpalljen e Trump si të paaftë për detyrën, për të shmangur krime të mundshme lufte dhe një katastrofë globale. Paraprakisht, sipas ligjit këtë mund ta bëjë edhe zëvendëspresidenti J.D. Vance, një republikan haptazi kundër luftërave, dhe shumica e kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

Vendimi i presidentit Donald Trump për të bombarduar Iranin së bashku me Izraelin më 28 shkurt, pavarësisht paralajmërimeve të brendshme për hakmarrje dhe pa një arsye të artikuluar qartë, e ka befasuar publikun dhe ligjvënësit amerikanë.

Po aq të habitshme kanë qenë edhe vendimet e tij për të sulmuar ashpër aleatët amerikanë, ofrimi i afateve të ndryshme për tërheqjen amerikane, si dhe vrasja e dhjetëra udhëheqësve të vendit dhe shënjestrimi i dyshuar i civilëve dhe objekteve civile.

Irani është hakmarrë duke bllokuar korridorin më të rëndësishëm energjetik në botë, Ngushticën e Hormuzit, duke rritur ndjeshëm çmimet në mbarë botën. Lëvizja e radhës e mundshme e Trump-it, të cilën ai ka kërcënuar se do ta ndërmarrë të martën, ka shtyrë disa njerëz ta konsiderojnë atë të papërshtatshëm për detyrën.

“E marta do të jetë Dita e Centraleve Elektrike dhe Dita e Urave, të gjitha në një, në Iran” - shkroi Trump të Dielën e Pashkëve, duke kërcënuar sërish bombardimin e centraleve elektrike dhe urave civile të Iranit. “Nuk do të ketë asgjë të ngjashme!!! Hapeni Ngushticën e fëlliqur, ju bastardë të çmendur, ose do të jetoni në ferr!”

Trump caktoi orën 20:00 (ora e Bregut Lindor) të së martës si afatin e fundit që Irani të hapë Ngushticën e Hormuzit ose do të përballet me bombat amerikane, pavarësisht bisedimeve që ai vetë i ka quajtur “produktive” drejt një armëpushimi.

Izraeli ka sulmuar tashmë infrastrukturën civile energjetike iraniane, duke përfshirë fushën e gazit South Pars dhe depot e naftës në Teheran, duke shkelur potencialisht ligjin ndërkombëtar humanitar.

Kërcënimi i hapur i Trump-it për veprime që mund të përbëjnë krime lufte ka shtyrë disa ligjvënës dhe kritikë t'i bëjnë thirrje Kabinetit të tij për të aktivizuar Amendamentin e 25-të. Senatori demokrat Chris Murphy shkroi në rrjetet sociale: “Po të isha në kabinetin e Trump-it, do t’i kaloja Pashkët duke thirrur juristë kushtetues për Amendamentin e 25-të. Kjo që po ndodh është plotësisht dhe krejtësisht e shthurur. Ai ka vrarë tashmë mijëra njerëz. Dhe po paralajmëron të vrasë edhe mijëra të tjerë”.

“Edhe hedhja në erë e një pjese të vogël të urave dhe centraleve të Iranit do të vrasë mijëra njerëz të pafajshëm që punojnë në ato centrale dhe udhëtojnë në rrugët e vendit. Edhe ky është krim lufte. Dhe për çfarë? Për të detyruar Iranin të hapë Ngushticën e Hormuzit, E CILA ISHTE E HAPUR PARA SE TRUMP TË FILLONTE BOMBARDIMIN E IRANIT??? Kjo është çmenduri e pastër. Nuk do të funksionojë. Thjesht do ta njollosë njëherë e përgjithmonë Amerikën. Udhëheqësit e Partisë Republikane duhet ta thërrasin Kongresin në seancë këtë javë për t’i dhënë fund kësaj lufte” - shtoi më tej Murphy.

Çfarë është Amendamenti i 25-të?

Amendamenti i 25-të, i cili siguron transferimin e shpejtë, të rregullt dhe demokratik të pushtetit ekzekutiv, është i ndarë në katër nene kryesore. Neni i parë parashikon që nëse presidenti vdes ose jep dorëheqjen, ai zëvendësohet nga zëvendëspresidenti.

Ndërkohë neni i dytë kërkon që presidenti të emërojë një zëvendëspresident të ri në rast vakance. Neni i tretë i lejon presidentit të transferojë vullnetarisht pushtetin te zëvendëspresidenti në raste paaftësie të përkohshme, siç janë procedurat mjekësore.

Megjithatë, ai që po diskutohet më shumë sot është neni i katërt, pasi e lejon zëvendëspresidentin dhe shumicën e kabinetit ta shpallin presidentin të paaftë për të ushtruar detyrat e tij, edhe pa pëlqimin e tij. Që nga ratifikimi i tij në vitin 1967, ky nen për shkarkim të pavullnetshëm nuk është aktivizuar kurrë.

Dhe është pikërisht ky mekanizëm ku po drejtohen tani kundërshtarët e Trump-it, duke argumentuar se ultimatumi i tij i fundit është dëshmi e qartë e çmendurisë dhe paaftësisë për të mbajtur postin.

Reagimet dhe thirrjet për shkarkim

“Amendamenti i 25-të ekziston për një arsye. Presidenti i Shteteve të Bashkuara është një njeri i marrë dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare” - shkroi kongresmenia Yassamin Ansari. Ndërkohë kongresmenia tjetër Melanie Stansbury shtoi: “Mbreti është lakuriq. Është koha të aktivizojmë Amendamentin e 25-të!”.

Edhe ish-aleatë të ngushtë të Trump, si Ty Cobb apo Anthony Scaramucci kanë shprehur shqetësimin e tyre për kursin e ngjarjeve. Cobb deklaroi se postimet e Trump në orët e vona të natës dëshmojnë “nivelin e tij të çmendurisë dhe degjenerimit”.

Madje edhe Marjorie Taylor Greene, dikur një mbështetëse besnike e presidentit, u bëri thirrje anëtarëve të administratës që të ndërhyjnë dhe të ndalin “çmendurinë e Trump-it”, duke shtuar se luftërat po bazohen në gënjeshtra të vjetra.

Pavarësisht vrullit të thirrjeve, analistët si Simon Jenkins mbeten skeptikë. “Mundësitë që kjo të ndodhë thuhet se janë të vogla” - shkroi ai në The Guardian. Megjithatë, vetë Trump e pranoi muajin e kaluar se strategjia e tij mund të çonte në këtë pikë: “Ata ndoshta do të nisin procedurat e Amendamentit të 25-të”./Pamfleti nga “Time”

shkarkimi i trump amendamenti 25

Lini një Përgjigje