Raporti i inteligjencës ukrainase flet për dhjetëra regjistrime të objekteve ushtarake në 11 vende të rajonit
Satelitët rusë dyshohet se kanë kryer të paktën 24 regjistrime të zonave në 11 vende të Lindjes së Mesme nga 21 deri më 31 mars, duke mbuluar 46 “objekte”.
Dhjetëra regjistrime të detajuara fotografike të instalimeve ushtarake dhe pikave strategjike në të gjithë Lindjen e Mesme dyshohet se janë realizuar nga satelitë rusë, me qëllim që të ndihmojnë Iranin në sulme ndaj forcave amerikane dhe objektivave të tjerë në rajon, sipas një vlerësimi të inteligjencës ukrainase.
Përfundimet, të cilat janë shqyrtuar nga Reuters, tregojnë gjithashtu se hakerë rusë dhe iranianë kanë bashkëpunuar në hapësirën kibernetike, në përshkrimin më të detajuar deri tani të mënyrës se si Rusia ofron mbështetje të fshehtë për Iranin që nga momenti kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën sulmet më 28 shkurt.
Sipas këtij vlerësimi të padatuar, satelitët rusë kryen të paktën 24 vëzhgime në 11 vende të Lindjes së Mesme nga 21 deri më 31 mars, duke mbuluar 46 “objekte”, përfshirë baza ushtarake amerikane dhe të tjera, si dhe instalime, aeroporte dhe fusha nafte.
Raporti thekson se, brenda pak ditësh nga këto vëzhgime, bazat dhe selitë ushtarake u bënë objekt i sulmeve nga raketa balistike iraniane dhe mjete ajrore pa pilot, duke treguar një model të qartë.
Një burim ushtarak perëndimor dhe një burim tjetër për sigurinë rajonale deklaruan për Reuters se të dhënat e tyre tregojnë gjithashtu aktivitet të lartë të satelitëve rusë në rajon dhe se imazhet janë ndarë me Iranin.
Vëzhgime në Arabinë Saudite, Turqi, Jordani, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe
Nëntë vëzhgime mbuluan zona të Arabisë Saudite, përfshirë pesë mbi Qytetin Ushtarak “King Khalid” pranë Hafar al-Batin, në një përpjekje për të identifikuar elementë të sistemit amerikan të mbrojtjes ajrore THAAD, sipas vlerësimit ukrainas.
Zona në Turqi, Jordani, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u monitoruan dy herë, ndërsa zona në Izrael, Katar, Irak, Bahrein dhe baza detare e mbështetjes Diego Garcia u vëzhguan nga një herë, sipas raportit.
Raporti shton se një prirje në zhvillim është monitorimi aktiv nga satelitët rusë i Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare me rëndësi jetike për rreth një të pestën e flukseve globale të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror, ku Irani ka vendosur një bllokadë de facto për të gjitha anijet përveç atyre që i konsideron “jo armiqësore”.
Reuters thekson se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur përmbajtjen e këtij vlerësimi.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, deklaroi se asnjë mbështetje e jashtme ndaj Iranit nga ndonjë vend nuk ndikon në suksesin operacional të Shteteve të Bashkuara.
Lini një Përgjigje