Bisedimet me ndërmjetësimin e SHBA-së kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa marrëveshja parashikon një tërheqje graduale të forcave izraelite.
Marrëveshja e armëpushim mes Izraelit dhe Libanit pritet të firmoset brenda pak orësh.
Sipas mediave ndërkombëtare, nënshkrimi pritet të zhvillohet këtë të premte në Uashington, mes delegacioneve të të dyja vendeve.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se palët kanë zhvilluar bisedime intensive gjatë katër ditëve të fundit, ndërsa të premten në negociata është përfshirë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Nga ana e tij, Al Jazeera raporton se është arritur një marrëveshje për një tërheqje pilot të forcave izraelite nga dy zona, përpara tërheqjes së plotë në një fazë të mëvonshme.
Sipas televizionit izraelit Channel 12, Izraeli do të mbetet në zonën e njohur si "Vija Blu" derisa Hezbollah të çarmatoset. Operacioni pilot do të zhvillohet si në zona jashtë "Vijës Blu", ashtu edhe në zona që shtrihen brenda saj. Ushtria libaneze do të marrë kontrollin dhe përgjegjësinë për këto territore.
Një zyrtar i lartë izraelit deklaroi për televizionin se "do të tërhiqemi nga zonat që kemi marrë nën kontroll vetëm nëse Hezbollah pushon së qeni një faktor në të gjithë vendin. Ne kemi lirinë të reagojmë ndaj çdo kërcënimi që mund të shfaqet. Po konsolidojmë ndërkombëtarisht sovranitetin tonë në këtë zonë për aq kohë sa ekziston një kërcënim në kufijtë tanë."
Një zyrtar i lartë amerikan tha se Marco Rubio zhvilloi të enjten në mbrëmje biseda telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin e Libanit, në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet e fundit.
Edhe pse raundi i pestë i bisedimeve mes Izraelit dhe Libanit, me ndërmjetësimin e SHBA-së, pritej të përfundonte të enjten, negociatat vazhduan edhe të premten, duke hyrë në fazën përmbyllëse të arritjes së një marrëveshjeje, bëri të ditur një zëdhënës i diplomacisë amerikane për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).
Ndërkohë, Hezbollah, grupi i mbështetur nga Irani dhe kundërshtar i negociatave me Izraelin, akuzoi të enjten Izraelin për një tjetër "shkelje flagrante" të armëpushimit, pas një sulmi me dron që la të paktën tre të vdekur. Ushtria izraelite deklaroi se objektivi i sulmit ishin luftëtarë të Hezbollahut.
Kujtohet se memorandumi i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, i nënshkruar më 17 qershor, parashikonte shprehimisht ndërprerjen e luftimeve edhe në frontin libanez, një kusht i vendosur nga Teherani.
Lini një Përgjigje