TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Qershor 2026, 17:58

Botërori që shpëton jetë, dhuna në familje dhe kriminaliteti pësojnë rënie në Meksikë

Shkruar nga Pamfleti
Botërori që shpëton jetë, dhuna në familje dhe
Kombëtarja e Meksikës

Kupa e Botës 2026 nuk po sjell vetëm emocione sportive për Meksikën. Sipas statistikave të publikuara nga mediat vendase, sa herë që kombëtarja meksikane, e njohur si "El Tri", zbret në fushë, numri i vrasjeve në vend pëson një rënie të ndjeshme, duke e kthyer futbollin në një fenomen me ndikim të gjerë shoqëror.

Në stadiumin legjendar "Azteca", ku nisi Botërori, Meksika zhvilloi ndeshjen ndaj Çekisë pasi kishte siguruar tashmë kualifikimin si fituese e Grupit A, falë fitoreve ndaj Afrikës së Jugut dhe Koresë së Jugut. Megjithatë, përtej rezultateve sportive, vëmendja është përqendruar tek efekti që paraqitjet e kombëtares duket se kanë në jetën e përditshme të vendit.

Sipas të dhënave të raportuara nga mediat lokale, gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës numri mesatar i vrasjeve bie nga rreth 70 raste në ditë në afërsisht 30. Ky fenomen është vërejtur prej vitesh, veçanërisht kur kombëtarja arrin rezultate pozitive.

Nga ana tjetër, statistikat tregojnë se në rast humbjeje jo vetëm që rritet kriminaliteti, por shtohen edhe rastet e dhunës në familje. Klima e krijuar nga sukseset e ekipit kombëtar ka ndikuar edhe në jetën politike e sociale. Protestat kundër korrupsionit, të cilat kishin dominuar rrugët para fillimit të turneut, janë zbehur përkohësisht, ndërsa mijëra qytetarë mblidhen çdo mbrëmje në sheshet kryesore për të ndjekur dhe festuar ndeshjet e kombëtares.

Presidentja e parë grua e Meksikës, Klaudia Sheinbaum, ka shprehur dëshirën që rrugëtimi i skuadrës në Botëror të zgjasë sa më shumë. Objektivi mbetet arritja të paktën në çerekfinale, fazë që Meksika e ka prekur vetëm në dy Botërorët e organizuar në vend, në vitet 1970 dhe 1986.

Megjithatë, atmosfera festive nuk fsheh realitetin e vështirë të sigurisë në Meksikë. Edhe pse numri i vrasjeve pritet të jetë më i ulët krahasuar me periudhën e Botërorit “Katar 2022”, vendi vazhdon të përballet me nivel të lartë të dhunës, mijëra persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa kartelet e drogës ruajnë ndikim të konsiderueshëm në shumë rajone.

Në këtë realitet, futbolli mbetet një nga faktorët e rrallë që bashkon shoqërinë meksikane dhe u jep qytetarëve një arsye për shpresë e optimizëm, të paktën për aq kohë sa "El Tri" vazhdon rrugëtimin e tyre në Kupën e Botës.

kupa e botës kombëtarja e meksikës

Lini një Përgjigje