
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur thirrjen drejtuar Rusisë për një armëpushim të ndërsjellë në sulmet kundër infrastrukturës energjitike.
Ai theksoi se Ukraina është e gatshme të veprojë në të njëjtën mënyrë nëse edhe pala ruse ndalon goditjet. “Nëse Rusia është gati të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës sonë energjetike, ne do të përgjigjemi njësoj. Ky propozim i është përcjellë palës ruse përmes ndërmjetësimit amerikan,” u shpreh Zelensky.
Një propozim i ngjashëm ishte bërë edhe javën e kaluar, kur presidenti ukrainas kërkoi respektimin e një armëpushimi me rastin e Pashkëve ortodokse, që këtë vit festohen më 13 prill në Rusi dhe Ukrainë.
Megjithatë, në deklaratat e tij të së hënës, pas një sulmi gjatë natës në portin e Odesës në Detin e Zi, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën të paktën 16 të tjerë, Zelensky sugjeroi se Moska nuk po tregon gatishmëri për të pranuar një armëpushim.
“Ne i kemi propozuar vazhdimisht Rusisë një armëpushim, të paktën për Pashkë. Por për ta, të gjitha kohërat janë njësoj. Asgjë nuk është e shenjtë,” deklaroi ai.
Lini një Përgjigje