Mediat arabe raportojnë për një draft-marrëveshje që parashikon armëpushim dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Marco Rubio thotë se Uashingtoni po përgatitet edhe për skenarë alternativë.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të jenë pranë një marrëveshjeje diplomatike me rëndësi të madhe për Lindjen e Mesme, ndërsa paralelisht Uashingtoni po shqyrton edhe skenarë alternativë në rast të dështimit të negociatave për Ngushticën e Hormuzit.
Sipas raportimeve të medias "Al Arabiya", një draft përfundimtar marrëveshjeje është ndërmjetësuar nga Pakistani dhe mund të shpallet brenda orëve të ardhshme. Burimet mediatike saudite thonë se dokumenti parashikon armëpushim të menjëhershëm mes palëve, garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe heqjen graduale të sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
Mediat e Emirateve raportojnë se marrëveshja mund të hyjë në fuqi menjëherë pas shpalljes zyrtare nga të dyja palët.
Në të njëjtën kohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi sot se SHBA dhe aleatët e NATO-s po diskutojnë për mundësinë e një “Plani B” në rast se Irani refuzon të rihapë Ngushticën e Hormuzit.
Duke folur para gazetarëve në Helsingborg të Suedisë, Rubio tha se ekziston shqetësimi për një skenar ku tensionet ushtarake mund të pengojnë lundrimin në këtë korridor strategjik energjetik.
“Duhet të kemi një Plan B nëse dikush po qëllon në Ngushticën e Hormuzit”, deklaroi Rubio.
Ai shtoi se skenari ideal mbetet rihapja e ngushticës nga Irani, por paralajmëroi se vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në, mund të detyrohen të reagojnë nëse kjo nuk ndodh.
“Në një moment, idealisht, ata e hapin ngushticën. Por duhet të mendojmë edhe çfarë ndodh nëse Irani refuzon”, tha Rubio, pa specifikuar nëse NATO do të ketë rol të drejtpërdrejtë.
Sekretari amerikan komentoi edhe mbi negociatat me Iranin, duke pranuar se bisedimet mbeten të vështira.
“Ka pasur disa përparime, ende nuk kemi arritur aty ku duhet. Shpresojmë që kjo të ndryshojë, por mund edhe të mos ndodhë”, u shpreh ai.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga pikat më të rëndësishme strategjike në botë për transportin global të naftës, ndaj çdo zhvillim diplomatik ose ushtarak në këtë zonë ndiqet me vëmendje nga tregjet ndërkombëtare dhe fuqitë perëndimore.
Lini një Përgjigje