Në letrën e publikuar më 21 maj, kancelari Merz propozon që Ballkani Perëndimor dhe Moldavia të kenë qasje të privilegjuar në tregun e përbashkët evropian, si dhe pjesëmarrje më të afërt në proceset vendimmarrëse të BE-së.
Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka marrë letrën e kancelarit gjerman Friedrich Merz, në të cilën propozohet që Ukrainës t’i jepet statusi i anëtares së asociuar në Bashkimin Evropian, ndërsa vendeve të Ballkanit Perëndimor të përfshihen si vëzhguese në institucionet e bllokut.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, deklaroi se Brukseli e mirëpret diskutimin që po zhvillohet mes vendeve anëtare për mënyrat e afrimit të vendeve kandidate me BE-në.
“Kjo tregon se ekziston një përkushtim i fuqishëm i vendeve anëtare që zgjerimi të bëhet realitet sa më shpejt. Është gjithnjë e më e qartë se zgjerimi është investim gjeostrategjik në prosperitetin, paqen dhe sigurinë tonë. Anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian është po ashtu i lidhur në mënyrë thelbësore me sigurinë e bllokut tonë”, tha Mercier gjatë një konference për media.
Ai theksoi se procesi duhet të mbetet i bazuar në merita për të gjitha vendet që synojnë anëtarësimin në BE.
“Të gjitha zgjidhjet inovative duhet të udhëhiqen nga një proces i bazuar në merita. Duke parë përpara, duhet të sigurohemi që qasja jonë ndaj zgjerimit të jetë e përshtatshme për qëllimin që synon”, u shpreh ai.
Sipas Komisionit Evropian, institucioni do të vazhdojë bashkëpunimin me vendet anëtare dhe me shtetet kandidate për të gjetur forma të reja integrimi që forcojnë unionin dhe sigurinë e tij.
Në letrën e publikuar më 21 maj, kancelari Merz propozon që Ballkani Perëndimor dhe Moldavia të kenë qasje të privilegjuar në tregun e përbashkët evropian, si dhe pjesëmarrje më të afërt në proceset vendimmarrëse të BE-së.
Ai sugjeron gjithashtu që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin status vëzhguesi në institucionet kryesore evropiane dhe të zhvillohen mbledhje të përbashkëta me Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian për çështje që lidhen drejtpërdrejt me rajonin.
“Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.
Në dokument theksohet se objektivi për zgjerimin e Bashkimit Evropian mbetet i pandryshuar.
“Të qëndrojmë fort të përkushtuar ndaj premtimit se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian, siç është përcaktuar në Kriteret e Kopenhagës dhe në Agjendën e Selanikut të vitit 2003. Qëllimi ynë nuk ka ndryshuar: kompletimi i Bashkimit Evropian përmes përfshirjes së të gjitha vendeve kandidate”, thuhet më tej në letër.
Aktualisht, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë status kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova ende nuk e ka këtë status.
Për Ukrainën, Merz propozon një afrim më të thelluar me institucionet e Bashkimit Evropian pa ndërprerë negociatat ekzistuese për anëtarësim.
Kancelari gjerman vlerëson se këto hapa mund të realizohen pa ndryshime në kuadrin ligjor dhe institucional të BE-së, por përmes një marrëveshjeje politike mes vendeve anëtare.
Lini një Përgjigje