Ministrat e Jashtëm të NATO-s u mblodhën në Suedi ku u diskutua për angazhimet për shpenzimet e mbrojtjes, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.
I pranishëm ishte edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Ky takim përfaqëson një moment të rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Ankara, më 7–8 korrik 2026.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte deklaroi se aleanca është në një rrugë më të fortë, duke zvogëluar gradualisht varësinë nga një aleat i vetëm.
Rutte mirëpriti vendimin e presidentit Donald Trump për dërgimin e trupave amerikane në Poloni.
“Sigurisht, e mirëpres njoftimin. Por të jemi të qartë, trajektorja në të cilën jemi, e cila është një Evropë më e fortë dhe një NATO më e fortë , duke u siguruar që me kalimin e kohës, hap pas hapi, do të jemi më pak të varur vetëm nga një aleat, siç kemi qenë për kaq kohë, që janë Shtetet e Bashkuara. Në mënyrë që ata të kenë mundësinë për t’u përqendruar më shumë drejt prioriteteve të tjera, të cilat janë gjithashtu në interesin tone”, tha Rutte.
Ministri i jashtëm i Polonisë, Radoslaë Sikorski, njoftoi se numri i trupave të Shteteve të Bashkuara në Poloni do të mbahet në nivelet e mëparshme.
“Dua të falënderoj Presidentin për njoftimin e tij se rotacioni, prania e trupave amerikane në Poloni do të mbahet pak a shumë në nivelet e mëparshme. Mendoj se reputacioni i Polonisë si një vend që e merr seriozisht mbrojtjen, gjithashtu ndihmoi”, tha Sikorski.
Pas vendimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë për të tërhequr trupat amerikane nga Gjermania, ministri i Jashtëm Johann Wadephul u shpreh se ky ishte vendim që pritej, ndërsa theksoi se vendi do të shpenzojë më shumë në mbrojtje.
“Fokusi tani është në rrugën drejt NATO-s, me një model të ri të ndarjes së barrës. Një aleancë me përgjegjësi më të madhe evropiane dhe më shumë aftësi evropiane. Gjermania po udhëheq rrugën. Jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivin prej 5%. Këtë vit, ne do ta tejkalojmë tashmë 4%, në terma buxhetorë. Kjo duhet të zbatohet. Kjo duhet të përkthehet në aftësi”, tha Wadephul.
Bisedimet në Suedi pritet të lehtësohen politikisht dhe në aspektin e atmosferës nga mbështetja e premtuar e evropianëve për sigurimin e ardhshëm të ngushticës së Hormuzit.
Nën drejtimin e Francës dhe Britanisë së Madhe, disa shtete po përgatiten dhe janë shprehur të gatshëm për ta siguruar këtë rrugë detare.
Nga ana tjetër Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se pakënaqësia e presidentit Donald Trump ndaj NATO-s do të jetë një nga temat kryesore të samitit të ardhshëm të aleancës në Ankara.
Duke folur në takimin ministror të NATO-s në Suedi, Rubio falënderoi fillimisht vendin pritës për organizimin e aktivitetit, por më pas u ndal te sfidat që, sipas tij, po përball aleanca.
Ai e cilësoi samitin e Ankarasë si “një nga samitet më të rëndësishme të liderëve në historinë e NATO-s”, duke shtuar se drejtuesit e vendeve anëtare do të duhet të adresojnë “zhgënjimin” e Trump ndaj reagimit të aleancës për operacionet amerikane në Lindjen e Mesme.
“Kjo është një çështje që duhet të diskutohet në nivel liderësh. Nuk do të zgjidhet apo trajtohet sot,” tha Rubio.
Sekretari amerikan komentoi edhe njoftimin e fundit të SHBA-së për Poloninë, duke theksuar se Uashingtoni vazhdon të ketë angazhime globale që kërkojnë rishikim të vazhdueshëm të vendosjes së trupave amerikane.
“Shtetet e Bashkuara kanë detyrime globale që duhet t’i përmbushin në aspektin e dislokimit të forcave. Kjo na detyron vazhdimisht të rishqyrtojmë vendndodhjen e trupave tona,” deklaroi ai.
Rubio shtoi se ky proces “nuk është ndëshkues”, por pjesë e një rishikimi të vazhdueshëm që kishte nisur më herët.
Ai theksoi gjithashtu se ekziston hapësirë e konsiderueshme për bashkëpunim mes SHBA-së dhe NATO-s në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Lini një Përgjigje