Në konfliktet moderne, armëpushimet po duken gjithnjë e më shumë si pauza të përkohshme me natyrë propagandistike sesa hapa realë drejt paqes. Përpjekjet e Donald Trumpit për ndërmjetësim dhe paqe vuajnë nga mungesa e durimit, përvojës diplomatike dhe seriozitetit afatgjatë.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani thuhet se ndodhen në një armëpushim mes tyre. Por a është vërtet kështu? Të dyja palët vazhdojnë të mbajnë forma të ndryshme bllokade, të cilat në vetvete përbëjnë veprime lufte, ndërsa përplasjet e armatosura nuk kanë pushuar.
Presidenti amerikan Donald Trump lëkundet vazhdimisht mes kërcënimeve për bombardime të reja dhe tërheqjes së papritur prej tyre, duke paralajmëruar herë pas here “goditje të tjera të mëdha” nëse dështojnë bisedimet .
Pamje të ngjashme shfaqen edhe në Lindjen e Mesme: mes Izraelit dhe Libanit, Izraelit dhe Gazës, apo Izraelit dhe Iranit. Edhe Rusia dhe Ukraina, ndonëse ndodhen në luftë të hapur, përdorin herë pas here pauza të përkohshme ose armëpushime simbolike.
Së fundmi, Trump shpalli një armëpushim treditor me rastin e kremtimeve ruse të Ditës së Fitores. Moska dhe Kievi e pranuan formalisht, por menjëherë më pas nisën të akuzonin njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.
Në një kohë kur kufiri mes lajmit, spektaklit televiziv dhe kulturës së rrjeteve sociale po bëhet gjithnjë e më i paqartë, edhe vetë koncepti i armëpushimit duket se po humbet peshën e dikurshme.
“Na duhet një term i ri!” - thotë Virginia Page Fortna, autore e studimeve të njohura mbi armëpushimet. Sipas saj, ajo që po ndodh sot në Lindjen e Mesme nuk mund të quhet armëpushim në kuptimin klasik të fjalës. Në rastin më të mirë, është një venitje e përkohshme e dhunës.
Në fakt, armëpushimet kanë qenë gjithmonë të brishta dhe të mbushura me mosbesim. Kjo është e natyrshme mes palëve që deri dje kanë qenë në përpjekje për të asgjësuar njëra-tjetrën.
Rastet e suksesshme në histori janë të rralla, por domethënëse. Kështu ishte armëpushimi që i dha fund Luftës së Parë Botërore dhe çoi më pas në marrëveshje paqeje, apo ai që ndaloi Luftën Koreane dhe vazhdon të mbahet edhe sot, megjithëse pa një traktat përfundimtar paqeje.
Zakonisht, një armëpushim ka gjasa të mbijetojë vetëm kur të gjitha palët janë rraskapitur nga lufta dhe e kuptojnë se fitorja është ose e paarritshme, ose tepër e kushtueshme.
Një kusht tjetër i rëndësishëm është prania e një ndërmjetësi të fortë dhe të besueshëm, si për shembull Organizata e Kombeve të Bashkuara kur mbështetet
nga fuqitë kryesore, ose Shtetet e Bashkuara kur veprojnë si palë e paanshme.
Një shembull i tillë ishte armëpushimi mes Izraelit dhe Egjiptit në vitin 1973, i arritur pjesërisht falë diplomacisë këmbëngulëse të Henry Kissinger, që më pas hapi rrugën për marrëveshjen historike të paqes në vitin 1979.
Megjithatë, shumica e armëpushimeve dështojnë. Sipas një studimi, 84 për qind e tyre u shembën brenda më pak se dy javësh. Një studim tjetër arrin pothuajse në të njëjtin përfundim.
Ndonjëherë njëra palë beson se mund të fitojë duke rifilluar luftimet. Në raste të tjera, marrëveshja prishet nga grupe të pakontrolluara, ose nga pamundësia për të vërtetuar se kush e shkeli i pari armëpushimin.
Pikërisht kështu dështuan edhe marrëveshjet e Minskut, të cilat synonin t’i jepnin fund konfliktit ruso-ukrainas në vitet 2014-2015. Kur armëpushimet funksionojnë, ato kërkojnë kohë, durim dhe njohuri të thella diplomatike.
Studiuesit Madhav Joshi, Matthew Hauenstein dhe Jason Quinn kanë arritur në përfundimin se marrëveshjet e qëndrueshme të paqes kërkojnë mesatarisht mbi 4 vjet negociata të hollësishme.
Kjo nuk përputhet aspak me stilin politik të Trumpit, i cili premtoi se do t’i jepte fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës jo pas vitesh negociatash, por brenda një dite. Sipas Fortna-s, vetë fryma e këtij premtimi ishte më shumë shfaqje sesa strategji: të thuash gjëra që tingëllojnë madhështore dhe mbresëlënëse.
Megjithatë, ajo mendon se Trump mund të kishte ndihmuar në afrimin e një armëpushimi të vërtetë po të kishte marrë seriozisht rolin e ndërmjetësit. Kjo do të kërkonte ushtrimin e presionit mbi palën më të fortë - Rusinë - për ta bindur se nuk mund ta fitojë luftën, si edhe garantimin se çdo shkelje e armëpushimit do të sillte pasoja konkrete.
Por në vend të kësaj, Trump ushtroi më shumë trysni mbi Ukrainën, duke i dhënë Moskës bindjen se koha ishte në anën e saj. Sipas Fortna-s, ai nuk ka as durimin e nevojshëm për t’u përfshirë gjatë në procese të ndërlikuara diplomatike.
Po aq problematike është edhe shpërfillja e ekspertizës profesionale. Trump angazhoi mikun e tij Steve Witkoff dhe dhëndrin Jared Kushner për negociatat, ndërsa diplomatët me përvojë dhe njohuri të thella mbi Rusinë, Ukrainën apo Lindjen e Mesme u lanë mënjanë.
Të njëjtët persona u përfshinë edhe në bisedimet për Gazën dhe Iranin, procese që u ndërprenë dy herë nga sulme amerikane. “Ende nuk e kemi provuar kurrë seriozisht se çfarë ndodh kur negociata tepër të rëndësishme zhvillohen pa negociatorë të vërtetë. Dhe deri tani, rezultatet nuk janë premtuese” - thotë Fortna.
Nëse armëpushimet në Gaza dhe Liban duken të lëkundura, kjo ndodh edhe sepse Izraeli beson se mund të arrijë më shumë përmes luftës sesa përmes paqes, ndërsa SHBA-ja nuk shfaq gatishmëri për ta frenuar.
Sipas Fortna-s, edhe armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit mbetet i pasigurt, sepse Irani nuk ka arsye të bëjë lëshime të mëdha, ndërsa Trump, që ka shpallur tashmë fitoren në planin politik, nuk mund të pranojë publikisht dështimin.
Natyrisht, jo çdo armëpushim i ditëve tona është i dënuar të dështojë. Marrëveshja mes Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos duket se po qëndron ende, dhe Trump meriton një pjesë të vlerësimit për ndërmjetësimin e saj.
Megjithatë, në konfliktet që dominojnë sot rendin botëror - nga Lindja e Mesme deri në Ukrainë - armëpushimet po shndërrohen gjithnjë e më pak në hapa të mundimshëm drejt paqes dhe gjithnjë e më shumë në mjete për të dominuar ciklin e lajmeve të ditës.
Ashtu si shumë rituale të tjera të diplomacisë moderne, edhe armëpushimi rrezikon të kthehet thjesht në një element të teatrit politik./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje