Tregu ndërkombëtar i naftës mund të përballet me një periudhë kritike gjatë muajve korrik dhe gusht, për shkak të uljes së rezervave dhe mungesës së eksporteve të reja nga Lindja e Mesme. Paralajmërimi u dha nga drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.
Gjatë një aktiviteti në Londër, Birol tha se situata mund të përkeqësohet përpara sezonit veror të udhëtimeve, kur kërkesa për karburant rritet ndjeshëm. Sipas tij, një nga elementët kyç për stabilizimin e tregut mbetet rihapja e plotë e ngushticës së Hormuzit.
Ai theksoi se vendet anëtare të IEA kanë ende në dispozicion pjesën më të madhe të rezervave strategjike të naftës dhe mund të vendosin për lirime të tjera në treg, nëse situata e kërkon.
Birol deklaroi se tregu po përballet me mungesë të furnizimeve, ndërsa kërkesa po rritet për shkak të sezonit turistik. Sipas tij, nëse nuk ka përmirësim të situatës, muajt e verës mund të shënojnë një periudhë të vështirë për tregun global të energjisë.
Ai tha gjithashtu se tensionet gjeopolitike kanë ndikuar më shumë se kurrë në sektorin energjetik dhe paralajmëroi se rritja e çmimeve mund të përdoret politikisht nga grupime ekstremiste në Evropë.
Sipas kreut të IEA, kriza aktuale është më e rëndë se goditjet e mëparshme të tregut të naftës në vitet 1973, 1979 dhe gjatë luftës në Ukrainë në vitin 2022. Ai vlerësoi se rreth 14 milionë fuçi naftë në ditë mungojnë aktualisht në treg për shkak të ndërprerjeve të furnizimit.
Birol tha se rikuperimi i plotë i prodhimit në disa vende të Lindjes së Mesme nuk pritet të ndodhë për të paktën një vit. Sipas tij, vende si Iraku, që varen nga të ardhurat e naftës për financimin e buxhetit, mund të hasin vështirësi serioze për të investuar sërish në prodhim.
Ai shtoi se reputacioni i Lindjes së Mesme si furnizues i sigurt energjie është dëmtuar dhe shumë shtete pritet të kërkojnë alternativa të tjera furnizimi, përfshirë energjinë e rinovueshme dhe atë bërthamore.
Ndërkohë, tensionet mes Iranit dhe SHBA vijojnë të mbeten të larta. Udhëheqësi suprem iranian, Mojtaba Khamenei, deklaroi se Irani nuk do të lejojë eksportimin e uraniumit të pasuruar drejt vendeve të treta në kuadër të ndonjë marrëveshjeje me Uashingtonin.
Presidenti amerikan Donald Trump dha deklarata të ndryshme mbi fatin e rezervave iraniane të uraniumit, duke thënë se SHBA synon të marrë kontrollin mbi materialin dhe më pas ta shkatërrojë atë.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Irani disponon mbi 440 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60%, nivel që konsiderohet shumë pranë shkallës së nevojshme për armë bërthamore.
Në të njëjtën kohë, Irani njoftoi krijimin e një autoriteti të ri për mbikëqyrjen e lëvizjes së anijeve tregtare në ngushticën e Hormuzit. Emiratet e Bashkuara Arabe reaguan duke e cilësuar këtë nismë si të papranueshme dhe jashtë realitetit.
Lini një Përgjigje