Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se nuk është i sigurt nëse do të marrë pjesë në dasmën e djalit të tij të madh, për shkak të angazhimeve që lidhen me situatën në Iran.
Gjatë një aktiviteti në Zyrën Ovale më 21 maj, Trump u pyet nga gazetarët nëse do të jetë i pranishëm në ceremoninë martesore të Donald Trump Jr. këtë fundjavë.
“Ai do të donte që unë të shkoja. Do të jetë një ceremoni e vogël dhe private, dhe do të përpiqem të jem aty. Por kjo nuk është koha e duhur për mua, sepse jam i angazhuar me Iranin dhe çështje të tjera të rëndësishme.”, tha Trump.
Presidenti amerikan shtoi me tone ironike se, pavarësisht zgjedhjes që do të bëjë, do të përballet me kritika nga mediat.
“Kjo është një situatë ku nuk mund të fitoj. Nëse shkoj, do të më sulmojnë. Nëse nuk shkoj, sërish do të më sulmojnë nga lajmet e rreme”, u shpreh ai.
Trump la të kuptohet gjithashtu se raportimet për martesën e djalit të tij, Donald Trump Jr., 48 vjeç, me modelen dhe personalitetin e njohur të Palm Beach, Bettina Anderson, janë të vërteta.
Çifti bëri publike fejesën në muajin dhjetor gjatë një eventi festiv të organizuar në Shtëpinë e Bardhë.
Lini një Përgjigje