Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti i rëndë i ndodhur gjatë natës në unazën e qytetit të Shkupit, në segmentin mes mbikalimit të Vizbegovës dhe nyjës së Mirkovcit.
Nga ngjarja tragjike humbën jetën të paktën katër persona, pasi një automjet tip “BMW” u përplas me një kamion dhe më pas u përfshi nga flakët.
Sipas raportimeve, shoferi 76-vjeçar i kamionit dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit, duke thyer barrierën mbrojtëse dhe kaluar në korsinë e kundërt. Aty ai është përplasur ballë për ballë me automjetin “BMW”, që drejtohej nga një 51-vjeçar nga Shkupi.
Ekipet e Ndihmës së Shpejtë kanë konfirmuar vdekjen e katër personave në vendngjarje. Viktimat janë drejtuesi i automjetit R.V. (51 vjeç), si dhe dy pasagjerët A.V. (20 vjeç) dhe P.M. (20 vjeç), të gjithë nga Shkupi. Një tjetër person ka humbur jetën, por identiteti i tij ende nuk është bërë i ditur.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit është arrestuar dhe po mbahet në një stacion policor, ndërsa autoritetet kompetente vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Lini një Përgjigje