TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Maj 2026, 10:55

Skandali Epstein/ Ish-Princi Andrew hetohet për krime seksuale, policia fton viktimat të dëshmojnë

Shkruar nga Pamfleti

Skandali Epstein/ Ish-Princi Andrew hetohet për krime seksuale, policia

Po zgjerohet edhe në drejtim të krimeve të mundshme seksuale hetimi ndaj ish-princit Andrew, vëllait të mbretit Charles III dhe djalit të preferuar të mbretëreshës Elizabeth II.

Andrew u arrestua dhe u mor në pyetje shkurtimisht në muajin shkurt, pikërisht në ditën e 66-vjetorit të lindjes, nën dyshimet se kishte ndarë informacione qeveritare konfidenciale me mikun e tij Jeffrey Epstein, financieri amerikan i akuzuar për pedofili, i cili vdiq në burg në New York në rrethana të debatueshme, të cilat zyrtarisht u cilësuan si vetëvrasje.

Fillimisht hetimi ishte përqendruar te shpërdorimi i detyrës, por tashmë policia britanike ka konfirmuar se po shqyrton edhe dyshime për krime seksuale, lidhur me vajza që Epstein dyshohet se ia kishte sjellë Andrew-t në rezidencat mbretërore. Hetuesit pritet të bëjnë një thirrje publike që viktimat e mundshme të paraqiten dhe të dëshmojnë. Vëmendja është përqendruar te dëshmia e një gruaje të re, e cila ka deklaruar se në vitin 2010 ishte ofruar për “qëllime seksuale” dhe ishte dërguar në Royal Lodge, rezidenca e atëhershme e princit në Windsor.

“Shpërdorimi i detyrës është një vepër penale që mund të marrë forma të ndryshme, gjë që e bën këtë hetim veçanërisht kompleks”, deklaruan hetuesit. Një burim për Sky News tha se “gabohen ata që mendojnë se po hetohen vetëm çështje financiare. Shpërdorimi i detyrës përfshin një gamë të gjerë shkeljesh, përfshirë krime seksuale, mashtrim, korrupsion dhe pengim të drejtësisë. Po shqyrtojmë çdo aspekt të çështjes”.

Vëmendje ka tërhequr edhe fakti se arrestimi i Andrew-t në shkurt ndodhi pak kohë pasi ish-kryeministri laburist Gordon Brown publikoi një artikull ku kërkonte që ai të përballej me drejtësinë. Vetëm tri javë më parë, Brown botoi një tjetër shkrim në revistën New Statesman, duke kërkuar që hetimet të zgjeroheshin edhe në aspektin seksual të çështjes. Pas kësaj, hetimi mori një drejtim të ri.

Përkeqësimi i pozitës së ish-princit të cilit vitin e kaluar iu hoqën të gjitha titujt mbretërorë pas publikimit të detajeve të tjera mbi lidhjet me Epstein po krijon vështirësi edhe për familjen mbretërore dhe vetë mbretin Charles III. Vetëm së fundmi janë publikuar dokumente lidhur me emërimin e Andrew-t si i dërguar për tregtinë në vitin 2001, ku rezulton se mbretëresha Elizabeth II kishte ushtruar presion që djali i saj të merrte atë rol. Imazhi i ish-mbretëreshës, i konsideruar për dekada pothuajse i paprekshëm, po dëmtohet gradualisht ndërsa bëhet më e qartë se ajo kishte mbrojtur një djalë, sjellja problematike e të cilit ishte e njohur prej kohësh.

Megjithatë, “çështja Andrew” paraqet një sfidë serioze edhe për mbretin Charles, i cili ka deklaruar se do të bashkëpunojë me hetimet. Është e vështirë të besohet se familja mbretërore nuk kishte dijeni për aktivitetet e Andrew-t, i cili për vite me radhë duket se është mbrojtur nga pasojat. Sa më shumë që ish-princi komprometohet dhe sa më i madh bëhet rreziku për t’u përballur me akuza zyrtare dhe një proces gjyqësor aq më shumë rasti i tij shndërrohet në një kërcënim serioz për reputacionin e monarkisë britanike dhe, në planin afatgjatë, për vetë institucionin e saj./Marrë nga Corriere della Sera

Lini një Përgjigje