Presidenti serb përdor një artikull në median amerikane për të vlerësuar Donald Trump dhe për të kërkuar afrimin e mëtejshëm mes Beogradit dhe Uashingtonit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka publikuar një artikull në Fox News ku flet për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke i kushtuar një pjesë të madhe të shkrimit figurës së Donald Trump.
Në tekstin e tij, Vuçiç kritikon qasjen e disa vendeve evropiane ndaj politikës amerikane dhe thotë se në shumë kryeqytete të BE-së po shtohet distancimi ndaj Uashingtonit. Sipas tij, Serbia ka ndjekur drejtim tjetër dhe ka rritur afrimitetin me SHBA-të vitet e fundit, pavarësisht historisë së vështirë mes dy vendeve.
Vuçiç kujton bombardimet e NATO-s në vitin 1999 dhe thotë se ato mbeten një plagë e hapur për shumë serbë. Megjithatë, ai thekson se në Serbi nuk ekziston më anti-amerikanizmi që, sipas tij, është bërë i zakonshëm në pjesë të Evropës.
Në artikull, presidenti serb ndalet te marrëdhënia me Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Ai thotë se është ndjerë i dëgjuar dhe i respektuar nga ish-presidenti amerikan dhe ekipi i tij, duke e përshkruar Trump si një lider të drejtpërdrejtë që trajtonte Serbinë pa paragjykime.
Vuçiç shkruan se në Serbi ekziston mbështetje për Trump dhe se qytetarët serbë e shohin atë si figurë që mbron sovranitetin kombëtar dhe interesat shtetërore. Sipas tij, kjo qasje ka ndihmuar në uljen e mosbesimit tradicional ndaj SHBA-ve.
Presidenti serb e paraqet Serbinë si partner strategjik për Amerikën në Ballkan. Ai rendit zhvillimet ekonomike, investimet në teknologji, energji dhe inteligjencë artificiale, si dhe rezervat e litiumit që i konsideron të rëndësishme për industrinë perëndimore.
Në fund të artikullit, Vuçiç i dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë Donald Trumpit dhe administratës amerikane. Ai thotë se Serbia është e gatshme për bashkëpunim ekonomik dhe strategjik me SHBA-të dhe se Beogradi kërkon marrëveshje konkrete, jo ndihmë politike.
“Serbia e kupton vizionin tuaj dhe respekton forcën tuaj”, shkruan Vuçiç, duke shtuar se dyert e vendit të tij mbeten të hapura për partneritet me Amerikën.
Lini një Përgjigje