Takimi mes Emmanuel Macron dhe Kyriakos Mitsotakis riafirmon boshtin strategjik franko-helen në një moment tensionesh të reja në Mesdheun Lindor. Përtej bashkëpunimit ushtarak, Parisi dhe Athina synojnë të ndërtojnë një front të përbashkët përballë ambicieve turke dhe rivaliteteve për ndikim rajonal.
Takimi i fundit mes Emmanuel Macron dhe Kyriakos Mitsotakis në Athinë nuk ishte thjesht një samit diplomatik mes dy qeverive evropiane. Përtej fotografive zyrtare, shtrëngimeve të duarve, vizitave ushtarake dhe deklaratave për bashkëpunim strategjik, dallohej diçka më e thellë: riafirmimi i një boshti historik mes Francës dhe Greqisë, që përshkon dy shekuj histori evropiane dhe mesdhetare.
Kjo marrëdhënie nuk mund të interpretohet vetëm në terma ushtarakë apo gjeopolitikë, sepse prek identitetin, kujtesën historike, qytetërimin dhe madje vetë konceptin e Evropës.
Skena e zgjedhur për takimin nuk ishte rastësore.
Vizita në fregatën “Kimon”, simbol i bashkëpunimit të ri detar franko-helen, materializoi qartë pozicionimin e ri strategjik të Greqisë në Mesdheun Lindor. Pas viteve të krizës ekonomike dhe tkurrjes së kapaciteteve të saj ushtarake, Athina ka nisur një nga programet më të mëdha të riarmatimit në historinë e saj moderne, duke u mbështetur kryesisht te partneriteti me Parisin.
Blerja e 24 avionëve luftarakë francezë “Rafale”, tre fregatave “Belharra” dhe sistemeve raketore “Exocet” nuk është thjesht një zgjedhje teknike apo tregtare, por një vendim i pastër gjeopolitik. Bashkëpunimi ushtarak franko-helen tashmë tejkalon vlerën e 5.5 miliardë eurove.
Nga ana e saj, Franca e përdor marrëdhënien privilegjuar me Greqinë për t’u paraqitur si fuqia kryesore ushtarake evropiane me aftësi reale projekcioni në Mesdhe. Në një Evropë të fragmentuar, pa një politikë të jashtme të përbashkët funksionale dhe ende të varur nga ombrella amerikane e sigurisë, Macron përpiqet të ndërtojë imazhin e një France të aftë të veprojë si garantuese strategjike e hapësirës mesdhetare.
Mbrojtja e Greqisë nënkupton njëkohësisht edhe mbrojtjen e rolit ndërkombëtar të vetë Francës. Megjithatë, brenda aparatit shtetëror grek mbetet ende dilema nëse Parisi do të ishte realisht i gatshëm të hynte në një konflikt të drejtpërdrejtë me Ankaranë.
Çështja turke dhe doktrina “Mavi Vatan”
Në qendër të këtij bashkëpunimi qëndron në mënyrë të pashmangshme çështja turke. Doktrina “Mavi Vatan” (Atdheu Blu), e zhvilluar vitet e fundit nga establishmenti strategjik turk, ka ripërcaktuar qasjen e Ankarasë ndaj Mesdheut Lindor.
Për Athinën, kjo doktrinë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj ekuilibrave në Egje, zonave ekonomike ekskluzive greko-qipriote dhe, më gjerësisht, pranisë helene në Mesdheun Lindor. Në këtë kontekst, forcimi i pranisë franceze merr një kuptim që shkon përtej bashkëpunimit dypalësh.
Edhe vendosja së fundmi e forcave detare franceze pranë Qipros, pas përshkallëzimit rajonal dhe tensioneve rreth bazës britanike të Akrotirit, është interpretuar nga shumë analistë jo vetëm si një mesazh ndaj Iranit apo Hezbollahut, por edhe si një sinjal i tërthortë frenues ndaj Turqisë.
Franca kërkon të tregojë se është e aftë të operojë në mënyrë të qëndrueshme në Mesdheun Lindor dhe të mbrojë aleatët e saj rajonalë.
“Konkurrenca” e Izraelit
Në këtë skenar, Izraeli mbetet ndoshta partneri ushtarak më efikas dhe operacional për Greqinë dhe Qipron në përballimin e ambicieve turke. Boshti energjetik dhe strategjik mes Jerusalemit, Athinës dhe Nikosias është konsoliduar vitet e fundit sidomos në fushën e inteligjencës, sigurisë dhe bashkëpunimit detar.
Megjithatë, Franca ofron diçka që Izraeli nuk mund ta ofrojë plotësisht në planin simbolik dhe diplomatik: legjitimitetin evropian. Parisi arrin që ta paraqesë mbrojtjen e Greqisë jo si një aleancë rajonale të zakonshme, por si mbrojtje të një kufiri evropian dhe mesdhetar.
Një lidhje me rrënjë historike të thella
Marrëdhënia mes Francës dhe botës helene nuk lindi sot. Rrënjët e saj shtrihen në shekullin XIX dhe lidhen me vetë lindjen e shtetit modern grek. Iluminizmi francez, Revolucioni Francez dhe luftërat napoleonike ndikuan në përhapjen e ideve kombëtare dhe revolucionare në Ballkan dhe në Mesdheun Lindor.
Shumë intelektualë grekë që përgatitën revolucionin e vitit 1821 u frymëzuan drejtpërdrejt nga kultura politike franceze. Për një pjesë të madhe të filohelenizmit evropian të kohës, çlirimi i Greqisë nuk përfaqësonte vetëm një luftë kombëtare kundër Perandorisë Osmane, por një ngjarje simbolike për vetë Evropën.
Greqia shihej si djepi i qytetërimit evropian dhe ringjallja e saj merrte pothuajse një dimension mesianik. Në kujtesën historike helene ka mbetur e fortë ideja se revolucioni grek hapi simbolikisht epokën e çlirimeve kombëtare evropiane të shekullit XIX.
Edhe gjatë shekullit XX, marrëdhënia me Francën ruajti një dimension pothuaj ekzistencial për një pjesë të elitës greke. Gjatë Diktaturës së Kolonelëve, shumë kundërshtarë politikë gjetën strehim në Paris.
Vetë Konstantinos Karamanlis jetoi në kryeqytetin francez gjatë mërgimit të tij. Franca u shndërrua kështu në një nga qendrat politike dhe kulturore të opozitës demokratike greke, duke forcuar më tej lidhjen mes dy vendeve.
Një marrëdhënie komplekse dhe kontradiktore
Megjithatë, marrëdhënia mes Francës dhe helenizmit nuk është pa ambiguitete. Nëse nga njëra anë Parisi shihet si aleat historik i Greqisë moderne, nga ana tjetër, në disa qarqe ortodokse tradicionaliste, Franca perceptohet si atdheu i iluminizmit radikal, shekullarizimit dhe laicizmit evropian.
Këtu shfaqet koncepti i “Romiosini”-s, vazhdimësia shpirtërore dhe kulturore e botës romano-bizantine brenda identitetit helen. Për një pjesë të mendimit konservator ortodoks, modeli perëndimor i lindur pas Revolucionit Francez e ka larguar gradualisht helenizmin modern nga matrica e tij romano-bizantine.
Jo pak murgj apo qarqe tradicionaliste e shohin me mosbesim laicizmin francez, antiklerikalizmin dhe transformimet kulturore të Evropës bashkëkohore. Në këtë interpretim polemik, “Perëndimi latin” akuzohet shpesh se ka përshpejtuar çkristianizimin e Evropës.
Në disa prej këtyre qarqeve ekziston edhe perceptimi i Rusisë si një mbrojtëse e mundshme e vlerave tradicionale ortodokse përballë shekullarizimit perëndimor.
Gjithsesi, pas protagonizmit mesdhetar të Macron fshihet edhe nyja ekonomike. Franca planifikon mbi 430 miliardë euro shpenzime ushtarake për periudhën 2024–2030, me një rritje prej 36 miliardë eurosh për forcat e armatosura.
Por sipas medias franceze dhe Gjykatës Franceze të Auditit, ambiciet strategjike të Parisit mund të përplasen me dobësi fiskale gjithnjë e më të dukshme dhe me një nivel borxhi publik ndër më të lartët të pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Ashtu si shpesh në historinë e saj, Franca synon të luajë në disa fronte si protagoniste, por mbulesa financiare dhe industriale rrezikon të mos jetë e mjaftueshme./Përshtati "Pamfleti", nga “Inside Over”
Oh, si i ka percare Putani keta të Perendimit, keta shaj e ai perlaj.