
Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë kryer një operacion ajror ndaj një motoskafi të dyshuar për trafik droge në Paqësorin Lindor, ku si pasojë mbetën të vrarë tre persona.
Lajmi u konfirmua nga Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM), e cila publikoi edhe pamje filmike të aksionit ushtarak.
Sipas deklaratës zyrtare, mjeti lundrues ishte i përfshirë në aktivitete të trafikut të narkotikëve.
“Gjatë operacionit u eliminuan tre narko-terroristë”, thuhet në deklaratën e SOUTHCOM.
Autoritetet amerikane nuk kanë bërë publike identitetet e viktimave, ndërsa mungojnë gjithashtu detaje mbi sasinë e drogës së sekuestruar apo koordinatat e sakta ku u zhvillua operacioni.
Komanda Jugore ka bërë të ditur se operacioni është pjesë e fushatës së vazhdueshme kundër trafikut të drogës në rajon.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet amerikane, që nga shtatori i vitit të kaluar janë zhvilluar dhjetëra operacione të ngjashme në Karaibe dhe Paqësorin Lindor.
Megjithatë, këto ndërhyrje kanë ngjallur polemika, pasi kritikët kanë kërkuar më shumë transparencë lidhur me provat që vërtetojnë përfshirjen e mjeteve të goditura në aktivitete kriminale.
“Janë ngritur shqetësime për mungesën e provave të publikuara që do të vërtetonin se të gjitha mjetet e shënjestruara ishin të përfshira në trafik droge”, theksohet në reagimet kritike ndaj këtyre operacioneve.
Lini një Përgjigje