TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Maj 2026, 08:25

Rezultatet e analizave të Trump bëhen publike, çfarë thonë mjekët për gjendjen e tij

Shkruar nga Pamfleti
Rezultatet e analizave të Trump bëhen publike, çfarë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gëzon një gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe është plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat që kërkon posti i tij, sipas raportit të fundit mjekësor të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Dokumenti, i firmosur nga mjeku personal i presidentit, Dr. Sean Barbabella, bazohet në kontrollin rutinë të zhvilluar në Qendrën Kombëtare Ushtarake Mjekësore Walter Reed, ku Trump iu nënshtrua një serie ekzaminimesh të detajuara.

Sipas raportit, presidenti 79-vjeçar kreu kontrolle të avancuara diagnostikuese, vlerësime kardiake dhe teste parandaluese për sëmundje të ndryshme, nën mbikëqyrjen e 22 specialistëve.

Në përfundim të vlerësimit, ekipi mjekësor arriti në përfundimin se presidenti amerikan ruan kapacitete të plota fizike dhe mendore për të ushtruar funksionin e tij.

“Performanca e tij fizike dhe njohëse është e shkëlqyer”, thuhet në raportin mjekësor të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Vetë Trump reagoi menjëherë pas kontrolleve, duke u shprehur i kënaqur me rezultatet.

“Gjithçka shkoi në mënyrë perfekte”, deklaroi presidenti amerikan pas ekzaminimeve.

Raporti evidenton gjithashtu se pesha e Trump ka arritur në 108 kilogramë, rreth gjashtë kilogramë më shumë krahasuar me kontrollin e mëparshëm zyrtar.

Për këtë arsye, mjekët i kanë rekomanduar presidentit ndryshime në stilin e jetesës, përfshirë përmirësimin e regjimit ushqimor, rritjen e aktivitetit fizik dhe menaxhimin e peshës.

Megjithatë, specialistët theksojnë se këto rekomandime nuk ndryshojnë vlerësimin e përgjithshëm për gjendjen e tij shëndetësore.

“Presidenti mbetet plotësisht i aftë për të ushtruar detyrat e tij”, theksohet në përfundimet e raportit.

2 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Edhe 22 vjet të tjera!

    1. T
      Tony

      Urra, Parti Enver jemi gati kurdohere. Ah, more Enver, infektove tere boten.

      Lini një Përgjigje