Një skandal i rëndë spiunazhi ka tronditur Presidencën e Maqedonisë së Veriut, pas dyshimeve për rrjedhje të informacionit të klasifikuar drejt shërbimeve të huaja inteligjente.
Në qendër të hetimeve ndodhet një administrator IT në kabinetin e Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, i cili dyshohet se ka kopjuar, enkriptuar dhe përgatitur për transferim materiale sekrete shtetërore.
Sipas mediave lokale, përfshirë “Sloboden Peçat”, hetimet kanë nisur që në fund të vitit 2025 nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, por deri tani procesi është përballur me mungesë provash kyçe dhe vonesa në analizimin e pajisjeve të sekuestruara.
Një kallëzim anonim i dorëzuar nga punonjës të Ministrisë së Brendshme pretendon se në këtë skemë mund të jenë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të lartë, të cilët dyshohet se kanë tentuar të pengojnë hetimet.
Një tjetër element që ka ngritur pikëpyetje është mungesa e pamjeve nga kamerat e sigurisë në ambientet e Presidencës. Sipas Prokurorisë, materialet janë kërkuar, por institucionet përkatëse kanë deklaruar se nuk i disponojnë.
Presidentja Siljanovska-Davkova ka shprehur habinë për rastin, ndërsa opozita socialdemokrate ka ngritur akuza të forta politike.
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, ka deklaruar se rasti duhet zbardhur plotësisht, duke përmendur ndikimin e mundshëm serb dhe rus në strukturat shtetërore.
“Ky është një skandal që duhet zbardhur plotësisht, pasi kemi një zëvendëskryeministër si Stoilkoviç që bashkëpunon me shërbimet serbe e qarqe pro-Kremlinit dhe informacione të ndjeshme që dalin çdo ditë nga një vend anëtar i NATO-s”, është shprehur Filipçe.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristjan Mickoski e ka minimizuar çështjen, duke deklaruar se bëhet fjalë për “mbetje të strukturave të vjetra të spiunazhit”.
Skandali vjen në një moment të ndjeshëm politik për Maqedoninë e Veriut, mes debatit për ndikimin rus dhe serb në vend, por edhe tensioneve të fundit lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se, nëse dyshimet konfirmohen, rasti mund të ketë pasoja serioze për besueshmërinë e Shkupit në NATO dhe për sigurinë rajonale.
NATO me vich, vski, e ov nuk mund te funksionoje por vetem te transformohet si druri qe eshte transformuar nga brenda ne liell nga krimbi i ndyre.