
Shërbimet sekrete norvegjeze paralajmëruan edhe vitin e kaluar se vendi i tyre do të ishte një nga objektivat e parë nëse do të kishte një përshkallëzim të konfliktit midis Rusisë dhe vendeve perëndimore.
Një raport vjetor i sigurisë i shërbimeve inteligjente norvegjeze, ka nxjerrë në pah problematikat e luftës në Ukrainë. Sipas raportit, thuhet se Rusia po merr gjithnjë e më shumë iniciativën në Ukrainë dhe është në rrugën e saj për të arritur dominimin në luftime. Kjo mund të shihet në zhvillimin e fundit të situatës në Avdeyevka, ku forcat ukrainase u detyruan të tërhiqen.
Dërgesat e armëve perëndimore i mundësuan ushtrisë ukrainase të parandalonte Rusinë që të bënte përparime të rëndësishme ushtarake në Ukrainë vitin e kaluar, por pjesa më e madhe e materialit të dorëzuar u humb ose u shpërdorua në fushën e betejës, thuhet në raport, sipas gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Ofensiva e Ukrainës në vitin 2023 ushtroi presion të madh mbi trupat ruse, por ato konsoliduan dhe rifortifikuan linjat e tyre mbrojtëse.
- Në vitin 2024, Ukraina nuk arriti të mbajë iniciativën në luftë - thonë norvegjezët. Rusia, nga ana tjetër, ka ndërmarrë disa hapa të suksesshëm dhe ka mobilizuar një numër të madh ushtarësh të rinj. Ajo është në gjendje të mobilizojë tre herë më shumë njerëz të rinj për luftë sesa Ukraina. Për më tepër, sanksionet perëndimore kanë më pak ndikim në ekonominë ruse sesa pritej.
Sipas raportit, Shkalla e prodhimit të municioneve, mjeteve luftarake, dronëve dhe raketave është më e lartë se një vit më parë. Rusia po merr mbështetje ushtarake në rritje nga Kina, Koreja e Veriut, Irani dhe Bjellorusia. Sa i përket Kinës, ajo nuk furnizon armë, por furnizon pajisje ushtarake dhe komponentë që janë kritikë për veprimin ushtarak dhe luftën e Rusisë.
Rusia është gati për një "luftë të zgjatur"
Regjimi rus beson se koha po punon në favor të tij dhe është gati për një "luftë të zgjatur", thuhet në raport. Prandaj, Kievit do të ketë nevojë për ndihmë "të rëndësishme" ushtarake nga Perëndimi për të pasur ndonjë shpresë për ta kthyer situatën, tha shefi i inteligjencës ushtarake Nils Andreas Stensones, të hënën kur prezantoi raportin.
Ky raport përpilohet çdo vit nga shërbimi i inteligjencës së jashtme norvegjeze NIS, shërbimi vendas i inteligjencës PST dhe Shërbimi i Sigurisë Kombëtare NSM.
Për shkak të zgjerimit të NATO-s me hyrjen e Finlandës dhe sipas të gjitha gjasave, së shpejti edhe Suedisë në Aleancë, humbi një nga qëllimet më të rëndësishme të Rusisë në Balltik, që është ruajtja e saj si një "tampon gjeografik dhe politik" kundër aleancës ushtarake perëndimore, thuhej në raport.
Megjithatë, ata theksojnë se aktualisht, për shkak të reduktimit të ndjeshëm të numrit të kontakteve dypalëshe midis Rusisë dhe Norvegjisë, sjellja e Moskës është bërë më pak e parashikueshme.
Norvegjia 'viktima' e rradhës e Rusisë
Rusia ka hartuar infrastrukturën kritike të naftës dhe gazit në Norvegji "për vite", thuhej më tej në raport. Kjo njohuri e akumuluar mund të bëhet e rëndësishme në rast të një konflikti. Rusia përdor një numër të madh anijesh civile për aktivitetet e inteligjencës dhe mbledh informacione, ndër të tjera, mbi infrastrukturën energjetike dhe mbrojtëse të Norvegjisë Me këto anije, Rusia ka mundësi që legalisht t'i qaset objektivave.
Si rezultat i luftës ruse të agresionit, Norvegjia u bë furnizuesi kryesor i Evropës me energji. Infrastruktura e gazit në veçanti mund të jetë objektiv i sabotimit ose përpjekjeve për të ndërprerë operacionet përmes sulmeve kibernetike, thuhet në raport. Shërbimet sekrete norvegjeze paralajmëruan edhe vitin e kaluar se vendi i tyre do të ishte një nga objektivat e parë nëse do të kishte një përshkallëzim të konfliktit midis Rusisë dhe vendeve perëndimore./Përshtati “Pamfleti” nga ”Novosti”
Lini një Përgjigje