Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kryen dhjetëra sulme ajrore ndaj Iranit gjatë konfliktit që përfundoi në fillim të prillit me armëpushimin SHBA-Iran, raportoi gazeta amerikane The Wall Street Journal (WSJ).
Sipas raportit, EBA koordinoi operacionet me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, duke përdorur informacione të inteligjencës të siguruara nga të dy vendet. Objektivat kryesore ishin instalacione energjetike iraniane, në përgjigje të sulmeve që Teherani kishte kryer ndaj infrastrukturës së naftës dhe gazit të Emirateve.
WSJ shkruan se, megjithëse vendet e Gjirit fillimisht deklaruan se nuk do të lejonin përdorimin e bazave apo hapësirës së tyre ajrore për operacione kundër Iranit, disa prej tyre ndryshuan qëndrim pas sulmeve iraniane ndaj objektivave në rajon.
Sipas të njëjtit raport, Irani lëshoi mbi 2.800 raketa dhe dronë kundër Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë luftës, një numër më i lartë se ndaj çdo vendi tjetër, përfshirë Izraelin.
Në kundërpërgjigje, EBA, në bashkëpunim me SHBA-në dhe Izraelin, goditi disa objektiva iraniane, përfshirë ishujt Qeshm dhe Abu Musa në Ngushticën e Hormuzit, qytetin portual Bandar Abbas dhe rafinerinë e naftës në ishullin Lavan në Gjirin Persik.
Një nga sulmet më të diskutueshme, sipas WSJ, kishte në shënjestër kompleksin petrokimik Asaluyeh. Gazeta raportoi se operacioni u krye në bashkëpunim me Izraelin dhe shkaktoi reagime ndërkombëtare. Mes kritikëve ishte edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili i kërkoi Izraelit të ndalonte goditjet ndaj objekteve energjetike iraniane.
Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se “Izraeli veproi i vetëm kundër kompleksit të gazit Asaluyeh”, duke mohuar përfshirjen e Emirateve në atë operacion të veçantë.
Raporti thekson gjithashtu se bashkëpunimi mes Izraelit dhe Emirateve u forcua gjatë konfliktit. Sipas WSJ, Izraeli dërgoi sisteme të mbrojtjes ajrore Iron Dome dhe personel ushtarak në Emirate, ndërsa disa zyrtarë të lartë izraelitë zhvilluan vizita në vend.
Mes tyre përmenden drejtori i Mossadit David Barnea, drejtori i Shin Bet David Zini, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, gjenerallejtënant Eyal Zamir, si dhe vetë Netanyahu. Vizita e këtij të fundit ishte mohuar fillimisht nga Ministria e Jashtme e Emirateve, por më pas u konfirmua nga zyra e kryeministrit izraelit.
Ndërkohë, Arabia Saudite shprehu shqetësim për qasjen më agresive të Abu Dhabit ndaj Iranit. Sipas raportimeve të mëparshme, Riadi i komunikoi Uashingtonit se sulmet e Emirateve mund të rrisnin rrezikun e hakmarrjes iraniane në të gjithë rajonin.
Një raport i Bloomberg, i publikuar më herët gjatë muajit, sugjeroi se presidenti i Emirateve, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, ishte i pakënaqur me disa fqinjë të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin, pasi këto vende refuzuan të koordinoheshin ushtarakisht kundër Iranit.
Sipas Bloomberg, ky mosmarrëveshje thelloi tensionet ekzistuese mes Emirateve dhe Arabisë Saudite. Raporti vlerëson se kjo mund të shpjegojë afrimin e mëtejshëm të Abu Dhabit me Izraelin, si edhe vendimin e Emirateve për t’u tërhequr nga OPEC dhe OPEC+ në fund të prillit.
Lini një Përgjigje