TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Maj 2026, 15:41

"Nuk jemi këtu për karrige", Boçi nga Kuvendi i PD: Duhet të nisim një marshim të ri politik!

Shkruar nga Pamfleti
"Nuk jemi këtu për karrige", Boçi nga Kuvendi i PD:
Luciano Boçi

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi ka mbajtur një fjalim me tone mobilizuese në Kuvendin Kombëtar të PD-së, duke e cilësuar takimin si një moment të rëndësishëm politik për të ardhmen e vendit dhe të opozitës.

Gjatë fjalës së tij, Boçi tha se Kuvendi nuk është një mbledhje rutinë e diktuar nga statuti apo kalendari politik, por një përgjigje ndaj situatës që, sipas tij, po kalon Shqipëria. Ai theksoi se vendi ka nevojë për ndryshim dhe se Partia Demokratike duhet të marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr atë proces.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua rolit të kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Boçi e vlerësoi figurën e tij si të lidhur ngushtë me historinë e Partisë Demokratike, të demokracisë shqiptare dhe të zhvillimeve politike në vend.

“Historia e Sali Berishës është historia e Partisë Demokratike. Historia e Sali Berishës është histori e demokracisë shqiptare”, u shpreh Boçi para delegatëve të Kuvendit.

Nënkryetari i PD-së deklaroi se demokratët duhet të nisin një “marshim të ri” politik, të fokusuar te liria, drejtësia dhe rikthimi i shtetit te qytetarët. Sipas tij, opozita nuk duhet të synojë ndarjen e pushtetit apo hakmarrjen politike, por forcimin e institucioneve dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve.

Boçi theksoi se shqiptarët presin nga opozita guxim, vendosmëri dhe shpresë, ndërsa paralajmëroi se periudha e justifikimeve dhe e pritjes duhet të marrë fund.

Në përfundim të fjalës, Boçi bëri thirrje për organizim dhe angazhim më të madh politik, duke e konsideruar këtë si rrugën për arritjen e objektivave të Partisë Demokratike në të ardhmen.

Boçi: I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, zoti Sali Berisha! Të dashura demokrate, të dashur demokratë! Zonja, zotërinj, të rinj dhe të reja! Sot jemi në një Kuvend, jo thjesht Kuvend partie që e dikton statuti, e përcaktojnë protokollet politike dhe aq më pak është një rutinë e thjeshtë zgjedhore.

Ky është një Kuvend që e dikton koha e mbrapshtë në të cilën jetojmë. Është një Kuvend që e kërkon Shqipëria e grabitur, është një Kuvend që e kërkojnë shqiptarët e revoltuar dhe është një Kuvend që sot e kërkojnë demokratët e bashkuar. Prandaj sot, ne jemi përballë me përgjegjësinë tonë, jemi përballë me ndërgjegjen tonë, jemi përballë me kthjelltësinë tonë, jemi përballë me ndershmërinë tonë, por njëherazi jemi përballë me historinë tonë. Jeta jonë e të gjithëve që ishim në këtë sallë dhe janë ende në këtë sallë, është historia jonë. Historia jonë është historia e familjes sonë të madhe dhe të vogël.

Dhe askush nuk mund ta fshijë apo ta fshehë historinë e tij, sado e mirë dhe jo e mirë të jetë ajo. Dhe aq më tepër nuk mund të fshihet dhe të fshihet historia e familjes sonë të madhe, e cila me gjithë mëkatet e vogla, është një histori e madhe. Dhe në të gjithë këto historitë tona, ka një histori të një personi që spikat mbi të gjitha. Dhe kjo është historia e Sali Berishës. Jeta e Sali Berishës është me të vërtetë historia e jetës së tij. Dhe historia e jetës së tij është histori e familjes së tij.

Por ka një gjë, historia e Sali Berishës është historia e Partisë Demokratike. Historia e Sali Berishës është histori e demokracisë shqiptare. Historia e Sali Berishës është historia e këtij vendi. Dhe të dashur miq, në këtë takim me historinë, ne vijmë me emocione të ndryshme. Dikush vjen me krenari të shtuar, pak më të madhe se ajo e zakonshmja. Dikush e shoqëron atë me shqetësimin për atë që do të ndodhë. Dikush tjetër me dhimbjen për atë që ka ngjarë pak më parë. Dikush me atë shpresën e madhe për atë që do të vijë. Por ama kemi një emërues të përbashkët.

Të gjithë vijmë këtu me bindjen e madhe se Shqipërisë i duhet domosdo Partia Demokratike. Se qytetarëve u duhet një projekt real i ndershëm për jetët e tyre dhe të familjeve të tyre. Dhe ne këtë duhet t'ua sjellim. Shqiptarët sot kërkojnë guximin tonë, shqiptarët duan vendosmërinë tonë, shqiptarët duan besimin tonë, shqiptarët duan shpresën tonë. Prandaj, të dashur miq, ne patjetër duhet të nisim nga ky Kuvend një marshim të ri, të pandalshëm, marshim jo për karrige, aspak, për shërbime, jo për hakmarrje, por për drejtësi. Jo për të ndarë copa pushteti, jo fare, për t'i kthyer shtetin shqiptarëve. Sepse, të dashur miq, ne luftojmë për liri dhe për drejtësi.

Dhe ta dini dhe mos e harroni, njeriu që kur lind dëshiron liri dhe drejtësi. Njeriu kur rritet kërkon liri dhe drejtësi. Dhe njeriu kur futet në politikë lufton për liri dhe drejtësi. Dhe në qoftë se ne që luftojmë për liri dhe drejtësi e lëmë luftën tonë, atëherë kemi dorëzuar dhe lirinë dhe drejtësinë. Në qoftë se dorëzojmë lirinë dhe drejtësinë, ne kemi dorëzuar opozitën.

Në qoftë se dorëzojmë opozitën, ne kemi dorëzuar fatet tona dhe të familjeve tona dhe në qoftë se kemi dorëzuar familjen tonë, ne kemi dorëzuar vendin tonë. Por ne nuk e pranojmë një gjë të tillë. Ne jemi luftëtarë të lirisë dhe drejtësisë.

Dhe prandaj nga ky Kuvend i rëndësishëm, historik, ne duhet të dalim me një mesazh të fortë. Mesazh që u tha nga lideri i partisë: Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur mbijetesën tonë politike, jo, ne jemi për të fituar këtu. Ne jemi për të fituar jo vetëm zgjedhjet, ne jemi për të fituar Shqipërinë dhe shqiptarët. Koha e justifikimeve ka mbaruar! Koha e pritjes ka mbaruar! Koha e apatisë ka mbaruar! Është koha e organizimit, është koha e angazhimit, është koha e luftës për fitore! Zoti e bekoftë Partinë Demokratike, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët! Faleminderit!

luciano boçi kuvendi i pd

1 Komente

  1. e
    ert

    Do bejme lufte de more de, si lum ti popull mezi na ke..

    Lini një Përgjigje